Lufta civile po jep një jetë të re për organizatën terroriste
Pas rënies së fuqisë së vet në Irak, organizata terroriste Al-Kaeda duket se po fuqizohet sërish në Siri, duke shfrytëzuar mungesën e pranisë së perëndimorëve ushtarakisht në këtë vend dhe kaosin e krijuar nga lufta, bën të ditur “Reuters”. Rritja e organizatës vendëse Al-Nusrat, e lidhur me Al-Kaedën paralajmëron për një konfrontim tjetër të fuqishëm mes perëndimit dhe kësaj organizate. Al-Nusra u listua si organizatë terroriste nga SHBA javën e kaluar.
Brenda Sirisë ky grup po shfrytëzon një përplasje gjithnjë e më të gjerë sektare duke rekrutuar suni që e shihnin veten si të përjashtuar nga pushteti nga minoranca alavite e Assad-it, një degë e islamizmit shia që dominon jetën politike dhe ekonomike të Sirisë.
Al-Nusra duket se ka fituar popullaritet në një vend që është kthyer më shumë në vijat fetare gjatë kryengritjes. Ajo mori përgjegjësinë për një fushatë të madhe me bomba në Damask dhe Alepo, ndërsa luftëtarët e saj u janë bashkuar rebelëve të Sirisë në sulmin kundër forcave të Assad. Sipas një grupi për monitorimin e aktiviteteve ekstremiste, Nusra mori përgjegjësinë brenda një dite të vetme për 45 sulme në të gjithë Sirinë.
Disa anëtarë të këtij grupimi të intervistuar nga “Reuters” thonë se Al-Nusra synon të rigjallërojë Kalifatin Islamik, një perandori që në kulmin e vet u shtri nga India në Spanjë. Kjo perspektivë ka alarmuar shumë vetë në Siri, nga minoriteti kristian tek alavitë deri te myslimanët konservatorë suni, por gjithsesi tolerantë, të cilët frikësohen se Al-Nusra mund të përpiqet të imponojë një sundim të stilit taleban.
Frika për represion me bazë fetare, sakaq i ka shtyrë kurdët të mbyllen në lagjen e tyre në Apelo, ku ka pasur përplasje mes luftëtarëve kurd dhe luftëtarëve të Al-Nusra. Idetë e kësaj organizate kanë në kundërshtim me koalicionin për Sirinë e re, organizatë që u njoh nga shtetet perëndimore si bazë për rrëzimin e Assad dhe themelimin e një sistemi demokratik.
Omar, 25 vjeç me diplomë universitare dhe ish–rekrut në ushtri, thotë se dezertoi dhe u bashkua me Al-Nusra në reagim ndaj represionit që përjetuan sunitë e Sirisë përballë minorancës alavite që dominon në rangjet e oficerëve. Para revoltës, ai thotë se kishte simpati në hedhje për partinë islamike ndërkombëtare Hizb ut-Tahrir, e cila ka në axhendë restaurimin e një kalifati islamik, një titull që u shfuqizua për herë të fundit nga Mustafa Kemal Ataturku më 1924.
“Synimi ynë është të rrëzojmë Assad-in, të mbrojmë njerëzit tanë nga ushtria e tij dhe të ndërtojmë kalifatin. Shumë njerëz nga Ushtria e Sirisë së Lirë pëlqejnë idetë tona për një shtet islamik”, tha ai.