Reshjet intensive të ditëve të fundit kanë shkaktuar probleme serioze në qarkun e Gjirokastrës, ku vërshimi i ujërave ka dëmtuar rëndë Urën e Glinës në Bashkinë Dropull.

Për shkak të rrezikut, qarkullimi i mjeteve në urë është pezulluar plotësisht, duke izoluar pesë fshatra që lidhen përmes këtij aksi. Prefektja e Gjirokastrës, Albana Hasanaj, konfirmoi se situata kërkon masa emergjente:

“Si pasojë e reshjeve intensive kemi një dëmtim të Urës së Glinës, e cila për momentin është e bllokuar dhe është ndaluar qarkullimi në të dyja kahet për arsye sigurie. Kjo pengon qarkullimin e pesë fshatrave të zonës. Në bashkëpunim me pushtetin vendor dhe bizneset e zonës kemi vlerësuar një rrugë alternative për të mundësuar ndërhyrjet e nevojshme. Të gjitha grupet e emergjencës janë në terren dhe kemi komunikuar me Ministrinë e Mbrojtjes për marrjen e masave,”– u shpreh ajo.

Autoritetet lokale po punojnë për të garantuar lëvizjen e banorëve dhe për të siguruar zgjidhje të përkohshme derisa të nisë ndërhyrja në urë.