Një përzierje kimike e rrezikshme është konstatuar nga ambientalisti Niko Dumani, i cili ka njoftuar menjëherë autoritetet për shkak të rrezikut që paraqiste.
Sipas deklaratës së tij, substanca ishte një përzierje mes metanit dhe natriumit, e menduar fillimisht për përdorim laboratorik në shkolla. Ai ka theksuar se lënda ishte mbajtur në banesë prej rreth 10 vitesh, por rreziku është shtuar së fundmi pasi ka rënë në kontakt me ajrin, duke krijuar potencial për reaksion të rrezikshëm.
Dumani ka bërë me dije se, sapo ka kuptuar situatën, ka njoftuar policinë dhe ka kërkuar largimin nga zona për arsye sigurie. Fillimisht, ai e ka vendosur lëndën në një kovë dhe më pas e ka mbuluar me dhe për të shmangur kontaktin me ajrin.
Në vendngjarje kanë ndërhyrë forcat e policisë dhe shërbimi zjarrfikës, të cilët kanë rrethuar zonën dhe kanë larguar enën plastike ku ndodhej substanca.
Autoritetet në Vlorë pritet të kryejnë verifikimet përkatëse dhe të marrin masat e nevojshme për neutralizimin e plotë të lëndës së rrezikshme.
