Raporti i Gjendjes në Mjedis për vitin 2022, i përgatitur nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit thotë se janë krijuar, përpunuar apo transferuar rreth 18 mijë ton mbetje të rrezikshme. Nga këto, rreth 1 mije e 248 ton janë regjistruar si mbetje spitalore. Një vit më herët, pra në 2021 janë regjistruar 933 ton mbetje të rrezikshme spitalore. Ajo që bën përshtypje janë të dhënat zyrtare për vitin 2023 që janë servirur nga Agjencia e Mjedisit pas një kërkese të Inside Story. Thuhet se janë gjeneruar plot 48 mijë ton mbetje të rrezikshme në total. Pra, më tepër se 2-fishi i vitit pararendës.
Dublim: Sasinë më të madhe të mbetjeve të rrezikshme në vendin tonë e zë kodi i mbetjeve spitalore të cilat trajtohen në autoklavë apo incenerator specifik për mbetje spitalore”.
Pra, nga 48 mijë ton mbetje të rrezikshme në vitin 2023, AKM sqaron se shumicën e zënë mbetjet spitalore. Por, raportimet e kompanive që i trajtojnë zbulojnë një firo të madhe rrugës. Pra, ato nuk dihet ku shkojnë. Thënë më thjesht, ato hidhen në mjedis. Në parkun industrial të Rrashbullit, në subjektin privat të licensuar për mbetjet e rrezikshme spitalore, shkon një sasi shumë e vogël në raport me atë që prodhohet sipas administratorit të kompanisë.
“Unë di që kaq pak sa vjen këtu është 1/11 mungojnë shumë, në shqipëri nuk ka një landfill tjetër që të merret me disiplinimin e mbetjeve spitalore që quhen të rrezikshme. këtu duhet parë, kush e shikon, se di”, thotë juristi Selim Bregu, operator privat në trajtimin e mbetjeve të rrezikshme.
“Ka shumë artikuj shkencorë të përgatitur edhe nga studiues shqiptarë të cilët shohin në ujërat e lumenjëve Ishëm, Erzen sasi të mëdha të medikamenteve të tilla si ibuprofeni betabllokues antibiotikë të cilët ndikojnë në cilësinë e këtyre ujërave, ndikimi mund të jetë toksik mbi gjallesat”, thotë Mihallaq Qirjo, Ambjentalist nga “Rec Albania”.
Abuzimet me hedhjen e mbetjeve të rrezikshme në mjedis janë së fundi edhe në lupën e SPAK. Koj konfirmohet nga subjektet private që informojnë rreth verifikimeve që po kryhen.
“Mua më kanë ardhur nga organet e prokurorisë kërkesa edhe nga spak edhe nga prokuroria e durrësit se cilat janë kompanitë që mund të sjellin që janë potencial dhe unë i kam dhënë databazën që kam”, tha Selim Bregu, subjekt në trajtimin e mbetjeve.
Për të analizuar gjurmueshmërinë e këtyre mbetjeve, ne iu drejtuam me një kërkesë për informacion Drejtorisë së Doganave. Në përgjigje të saj, ky institucion tha se pas verifikimeve nuk rezulton që të ketë dalje nga Shqipëria të mbetjeve të rrezikshme.
“Pas verifikimeve ne sistemin doganor, duke perdorur perpunimet kampion “mbetje” rezulton se NMK parashikon ‘Mbetjet Klinike’ të klasifikohen në kodin 382-530-00, por nuk ka as importe dhe as eksporte me këtë kod tarifor”, thuhet nga dogana.
Inside story kërkoi informacion nga POLYECO ALBANIA SH.P. K e cila ka degë në Shqipëri, por qendrën e saj e ka në Greqi. Kjo kompani tha se nuk trajton snjë mbetje ne Shqipëri por të gjitha i dërgon në Greqi. Por, në kushtet kur asnjë e dhënë e tillë nuk rezulton në dogana, çfarë ka ndodhur në të vërtetë me mbetjet dhe ku kanë shkuar ato?
“Polyeco Albania nuk trajton asnjë mbetje brenda territorit të Shqipërisë. Aktiviteti ynë konsiston ekskluzivisht në grumbullimin dhe eksportin e mbetjeve industriate të rrezikshme dhe jo te rreziksheme jashtë vendit, drejt impianteve të autorizuara në Bashkimin Evropian, për trajtim të mëtejshëm. Shumica e mbetjeve dërgohen në kompaninë mëmë Polyeco SA (Greqi), e cila zotëron kapacitete dhe licenca për trajtimin të mbetjeve të tilla”, thuhet nga subjekti privat Polyeco.
Kompania tha se sasia e mbetjetve të rreziikshme të eksportuaa ku përfshihen edhe ato industriale në 5 vitet e fundit nuk i kalon 350 ton në total. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit në përgjigje të kërkesës së Inside Story tha se janë regjistruar gjatë 5 viteve të fundit 5 procedime penale për mbetjet spitalore. Por ajo çka është e çuditshme është fakti se janë proceduar si të dyshuar vetë spitalet.
“Gjatë 5 viteve të fundit janë regjistruar 5 procedime penale për mbetjet spitalore, konkretisht: 2 në Tiranë, 1 në Elbasan, 1 në Berat dhe 1 rast pa autor. Të proceduar, si të dyshuar nga veprimet fillestare, janë spitalet”, sqaron Policia.
Burime për Inside Story, bëjnë me dije se ka subjekte të ndryshme të cilat iu kërkojnë subjekteve të tjera të lincensuara që të nënshkruajnë kontrata fiktive trajtimi për provë ndaj institucioneve. Kjo tregon se edhe kontratat e dërguara në subjektet që janë pjesë e zinxhirit të trajtimit të mbetjeve duhet të merren me rezerva dhe të hetohen plotësisht. Ky nuk është vetëm një process ku shteti humbet para. Në plan afatgjatë ndot mjedisin, kontaminohen ujërat, dëmet kthehen tek qytetarët ndëpërmjet bimëve, apo formave të tjera. Po ashtu, rrit rezitencën bakteriale. Një këmbanë alarmi e ngritur edhe nga OBSH.