Një situatë shqetësuese është konstatuar në aksin rrugor Librazhd-Pogradec, në vendin e njohur si “Arrat e Gurrës”, ku çarjet e vjetra dhe ato të reja të shfaqura në trupin e rrugës janë thelluar ndjeshëm, duke rritur rrezikun për përdoruesit e këtij segmenti të rëndësishëm kombëtar.

Sipas njoftimit zyrtar, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka ndërhyrë menjëherë me masa paraprake emergjente për të parandaluar aksidente të mundshme dhe për të garantuar sigurinë e qarkullimit.

Burime zyrtare bëjnë me dije se në fazën e dytë të ndërhyrjes do të realizohet një korsi provizore në të majtë të trupit të rrugës, me qëllim rikthimin e qarkullimit në dy sense dhe lehtësimin e trafikut.

Autoritetet u bëjnë apel drejtuesve të mjeteve dhe banorëve të zonës për mirëkuptim dhe respektim të sinjalistikës rrugore, duke theksuar se kufizimet janë të përkohshme, por të domosdoshme për garantimin e sigurisë rrugore në këtë aks të rëndësishëm që lidh Lindjen me Juglindjen e vendit.