Autoritetet kroate kanë refuzuar në kufi një ngarkesë me pjeshkë të nisura nga Shqipëria, pasi frutat rezultuan me përmbajtje të lartë nikeli.

Lajmi është konfirmuar nga Sistemi i Alarmit të Shpejtë për Ushqimin (RASFF) i Komisionit Europian, më datë 21 gusht 2025.

Në njoftimin e RASFF thuhet se pjeshkët kishin “përmbajtje të lartë nikeli” dhe përbënin një “rrezik potencial” për konsumatorët. Ende nuk është bërë publike kompania eksportuese e produktit shqiptar.

Ky nuk është rasti i parë i tillë. Më 12 mars 2025, Kroacia ndaloi një ngarkesë me speca nga Shqipëria, pasi analizat zbuluan nivele shumë të larta të pesticideve.

Specat u klasifikuan me rrezik të lartë për konsumatorin, për shkak të përmbajtjes së lartë të insekticidit flonicamid. Sipas RASFF, ky pesticid ka tretshmëri të lartë në ujë dhe mund të dëmtojë shëndetin e njerëzve, veçanërisht mëlçinë dhe veshkat.