Një 70-vjeçar është gjetur i pajetë pasditen e sotme në banesën e tij në lagjen nr. 10 të qytetit të Korçës.

Sipas njoftimit të Policisë, nuk janë konstatuar shenja dhune në trupin e tij, ndërsa nga hetimet e para dyshohet se i moshuari ka ndërruar jetë disa ditë më parë.

“Rreth orës 18:50, është gjetur pa shenja jete dhe pa shenja dhune në banesën ku jetonte vetëm, shtetasi N. K., rreth 70 vjeç. Nga veprimet e para hetimore, dyshohet se ky shtetas ka humbur jetën disa ditë më parë”, thuhet në njoftim.

Aktualisht, grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për përcaktimin e shkaqeve të vdekjes si dhe për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.