Policia e Dibrës ka reaguar lidhur me një publikim të shpërndarë në rrjetet sociale, ku pretendohej se një drejtues automjeti ishte ndaluar nga persona të armatosur pranë tunelit të Qafës së Buallit dhe se nuk kishte marrë përgjigje pas telefonatave në Komisariatin e Policisë Bulqizë.

Sipas njoftimit zyrtar, menjëherë pas publikimit janë kryer verifikimet për të sqaruar rrethanat e pretenduara.

Nga kontrolli i regjistrave të Sallës Operative të Komisariatit të Policisë Bulqizë ka rezultuar se nuk është regjistruar asnjë telefonatë që lidhet me këtë rast. Gjithashtu, deri në këtë fazë të verifikimeve, asnjë qytetar nuk është paraqitur pranë strukturave të Policisë për të bërë kallëzim lidhur me ngjarjen e pretenduar.

Policia bën me dije se vijon verifikimet për zbardhjen e plotë të rastit dhe u bën thirrje qytetarëve që, në raste të ngjashme, të njoftojnë menjëherë organet ligjzbatuese përmes kanaleve zyrtare.

Reagimi

Në lidhje me një publikim të shpërndarë në rrjetet sociale, ku pretendohet se një drejtues automjeti është ndaluar nga persona të armatosur në afërsi të tunelit të Qafës së Buallit, si dhe se nuk ka marrë përgjigje pas telefonatave që pretendon se ka kryer në Komisariatin e Policisë Bulqizë, sqarojmë se:

Menjëherë pas marrjes dijeni për këtë publikim, Drejtoria Vendore e Policisë Dibër ka nisur verifikimet për sqarimin e plotë të rrethanave të pretenduara.

Nga verifikimi i regjistrave të komunikimeve të Sallës Operative të Komisariatit të Policisë Bulqizë rezulton se nuk është regjistruar asnjë telefonatë në lidhje me këtë rast. Gjithashtu, deri në këto momente, asnjë shtetas nuk është paraqitur pranë strukturave të Policisë për të bërë kallëzim lidhur me këtë pretendim.

Pavarësisht mungesës së një denoncimi, Drejtoria Vendore e Policisë Dibër dhe Komisariati i Policisë Bulqizë po vijojnë verifikimet për të përcaktuar vërtetësinë ose jo të ngjarjes së publikuar në rrjetin social JOQ.

Drejtoria Vendore e Policisë Dibër mbetet e angazhuar për trajtimin me seriozitet të çdo denoncimi dhe fton qytetarin në fjalë të paraqitet pranë strukturave të Policisë për të bërë kallëzim, si dhe për të dhënë çdo informacion që mund të ndihmojë në identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.