Një situatë shqetësuese është krijuar në zonën e Ungrejt në Lezhë, ku një vatër zjarri po përhapet me shpejtësi duke rritur rrezikun për banorët dhe objektet përreth.

Deputeti Agron Gjekmarkaj ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, duke raportuar se flakët kanë përparuar në drejtim të zonave të banuara, ndërsa rrezikohen edhe kishat dhe varrezat e fshatrave.

Sipas tij, zjarri është përhapur në zonën e Rrasit dhe Zimajt dhe situata kërkon ndërhyrje të menjëhershme nga strukturat përgjegjëse.

Gjekmarkaj u ka bërë thirrje autoriteteve që të angazhojnë urgjentisht forcat dhe mjetet në dispozicion për të vënë nën kontroll flakët dhe për të shmangur afrimin e tyre drejt banesave.

Ndërkohë, vijon monitorimi i situatës, ndërsa ndërhyrja sa më e shpejtë shihet si e domosdoshme për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të zjarrit.

Postimi i Agron Gjekmarkajt:

ALARM NË UNGREJ!

Situatë tejet e rëndë në Rras dhe Zimaj, Njësia Administrative Ungrej, Lezhë. Zjarri po përparon me shpejtësi dhe flakët janë afruar rrezikshëm pranë banesave, kishave dhe varrezave të fshatrave.

Nuk kërcënohen vetëm pyjet. Rreziku ka mbërritur pranë shtëpive dhe vendeve të shenjta ku prehen të afërmit e këtij komuniteti.

Banorët janë përballë një situate alarmante dhe kërkohet ndërhyrje urgjente dhe e menjëhershme nga institucionet përgjegjëse, me të gjitha mjetet dhe forcat në dispozicion. Çdo minutë vonesë e rëndon më shumë situatën.