Gjiganti i shitjeve në internet Ebay u kërkoi dje të gjithë përdoruesve të vet të ndryshojnë fjalëkalimet pas një sulmi kibernetik që komprometoi një nga bazat e të dhënave të kompanisë.
Firma amerikane tha se databaza në fjalë u penetrua nga piratët në shkurt dhe në fillim të marsit dhe përmbante fjalëkalimet e enkriptuara e të dhëna të tjera jofinanciare.
Faqja që shërben për shitje përmes ankandit në internet tha se nuk ka dijeni nëse këto të dhëna janë përdorur në dëm të përdoruesve të kësaj faqeje, por ndërrimi i fjalëkalimeve qe “praktika më e mirë për të parandaluar diçka të tillë”.
Kompania me bazë në Kaliforni ka 128 milionë përdorues aktivë dhe tregtia në të vlerësohet në 212 miliardë dollarë në vit.
Piratët raportohet se vodhën fillimisht fjalëkalimet e disa punonjësve të kompanisë para se të hynin në sistemin më të madh. Vetë kompania e kuptoi rrezikun disa ditë më parë.
“Baza e të dhënave të komprometuara përfshinte emrin, fjalëkalimin, adresën e e-mail-t, adresën fizike, numrin e telefonit dhe ditën e lindjes”, tha kompania.
Gjithsesi, databaza nuk kishte informacion financiar. Kompania ka nën pronësi edhe shërbimin e transfertave të parave Paypal, por ky seksion i të dhënave nuk është prekur, pasi është magazinuar gjetkë.