Deputeti i Partisë Demokratike Fatmir Mediu, ka reaguar pas publikimit të një alarmi sigurie nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, duke paralajmëruar se grupe të lidhura me Iranin mund të shënjestrojnë subjekte amerikane ose elementë të rezistencës iraniane në Shqipëri. Në një postim në rrjetet sociale, Mediu i bën thirrje Presidentit të Republikës të thirrasë urgjentisht Këshillin e Sigurisë Kombëtare, të cilin e konsideron të zhvelësuar dhe inekzistent prej kohësh.
Ai nënvizon se shërbimet inteligjente duhet të marrin masa të menjëhershme për mbrojtjen e vendit, jo vetëm nga sulmet me raketa dhe dronë, por edhe nga sulme në infrastrukturë kritike dhe kërcënime ndaj qytetarëve.
Postimi i plotë i Mediut:
Ambasada e SHBA-së ka publikuar sot, në mbrëmje vonë, një alarm sigurie, ku u bën thirrje shtetasve amerikanë të kenë kujdes, pasi grupe të lidhura me Iranin mund të shënjestrojnë subjekte të lidhura me Shtetet e Bashkuara ose elementë të rezistencës iraniane në Shqipëri.
🔹 Prej vitesh, Shqipëria ka shkëputur marrëdhëniet diplomatike me Iranin, është partnere me SHBA-në dhe ka sot prezencën më të madhe të organizuar të rezistencës iraniane.
Me propozimin e Ramës, Garda iraniane u shpall organizatë terroriste. Po ashtu, sulmet kibernetike janë rritur, duke goditur institucione të rëndësishme. Çfarë presim të ndodhë?
🔹 Përballë kësaj situate, Presidenti i Republikës duhet të thërrasë urgjentisht Këshillin e Sigurisë Kombëtare, i cili është zhvlerësuar dhe është inekzistent prej kohësh.
Bëni punën tuaj që ju ka caktuar Kushtetuta dhe ligji dhe për të cilën paguheni.
Këshilli i Sigurisë Kombëtare të bëjë analizën e situatës, në bashkëpunim me partnerët. Shërbimet inteligjente të marrin masat që duhen urgjentisht për t’u organizuar dhe për t’u mbrojtur nga çdo sulm, i cili mund të mos jetë thjesht me raketa dhe dronë, siç mendojnë dhe flasin shumë, por edhe me veprime subversive të organizuara nga Irani, sulme në infrastrukturë kritike dhe interesa jetike të qytetarëve etj.
🔹 Shteti nuk është pushteti i Kryeministrit dhe i Qeverisë, por janë të gjitha institucionet që kanë primar interesin e ruajtjes së sigurisë kombëtare dhe sigurisë së qytetarëve, të cilës duhet t’i shërbejë politika dhe institucionet.
🔹 Boll me deklarime sa naive dhe idioteske se “ne nuk kemi probleme sepse na mbron NATO”. Anëtarësimi në NATO nuk do të thotë të heqësh dorë nga mbrojtja e sigurisë kombëtare dhe të mos vlerësosh kërcënimet.



