Ndryshimet klimatike po i vendosin vendet e Ballkanit Perëndimor përballë një realiteti të ri, ku pasojat nuk maten vetëm me dëme mjedisore, por edhe me kosto të rënda ekonomike. Ky ishte mesazhi kryesor i dhënë në Tiranë gjatë konferencës “Të Bashkuar për Klimën”.
Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, Amer Kapetanović, theksoi se rajoni duhet të kalojë nga planet dhe strategjitë në investime konkrete që adresojnë drejtpërdrejt ndikimet e klimës.
Ai nënvizoi se fatkeqësitë natyrore si përmbytjet, thatësirat dhe zjarret nuk janë më vetëm çështje mjedisore, por ndikojnë drejtpërdrejt në buxhetet e shteteve, duke detyruar qeveritë të zhvendosin fondet nga sektorë jetikë si arsimi, shëndetësia dhe infrastruktura drejt përballimit të emergjencave.
Të dhënat e prezantuara gjatë takimit tregojnë përmasa shqetësuese. Përmbytjet e vitit 2014 në Serbi shkaktuan dëme rreth 1.7 miliardë euro, ndërsa në Bosnje dhe Hercegovinë prekën rreth një milion qytetarë. Sipas Bankës Botërore, vendet e rajonit do të kenë nevojë për të paktën 37 miliardë dollarë në dekadën e ardhshme vetëm për t’u përshtatur me ndryshimet klimatike.
Konferenca në Tiranë mblodhi përfaqësues të qeverive, ekspertë dhe institucione financiare, me fokus në forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe sigurimin e fondeve për projekte konkrete. Prioritetet përfshijnë zhvillimin e sistemeve të paralajmërimit të hershëm, përmirësimin e të dhënave klimatike dhe rritjen e kapaciteteve hidrometeorologjike.
Mesazhi ishte i qartë: vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të kalojnë nga një situatë e përbashkët rreziku drejt një qasjeje të koordinuar dhe investimeve reale, pasi kostoja e mosveprimit pritet të jetë gjithnjë e më e lartë.
