Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ka reaguar në platformat e rrjeteve sociale në lidhje me lajmin për një alarm të rremë në një shkollë në Tiranë.

Koçiu shprehet se ‘kjo lloj çmendurie që shpesh tolerohet nën alibinë e një “lirie” pa fre, nuk ka asgjë të përbashkët me lirinë e vërtetë’.

“Një alarm i rremë për bombë në një shkollë në Tiranë, ditën e parë të mësimit, kur oborret janë të mbushura plot me fëmijë, nuk është një shaka e hidhur, nuk është një test cinik për reflekset e Policisë së Shtetit dhe as një lajthitje e rastësishme e një mendjeje të papjekur, por një çmenduri e mirëfilltë kriminale.

Kjo lloj çmendurie që shpesh tolerohet nën alibinë e një “lirie” pa fre, nuk ka asgjë të përbashkët me lirinë e vërtetë.

Këtyre që ndosin protestën, që e ngatërrojnë lirinë me anarkinë e mendjeve të tyre të boshatisura, duke e kthyer hapësirën tonë publike në një fushë eksperimentesh të dështuara, ligji duhet t’u tregojë shumë shpejt se Shqipëria nuk është një teatër ku mund të luajnë falas dramat e tyre të sëmura.

Refuzimi i këtyre sjelljeve anormale duhet të jetë qëndrim i të gjithë shoqërisë”, u shpreh Koçiu.