Ministrja e re e Brendshme, Albana Koçiu, ka ndërmarrë një nga vendimet e para të forta në detyrë, duke treguar qartë qëndrimin e saj ndaj shkeljeve të ligjit pavarësisht pozicionit të shkelësit.

Vetëm pak ditë pas betimit në presidencë, Koçiu ka propozuar shkarkimin nga detyra të zëvendësministrit të Brendshëm, Andi Mahila, pas një incidenti që ka ngritur shqetësim në opinionin publik.

Sipas burimeve zyrtare, Mahila është fotografuar duke konsumuar cigare në një ambient të mbyllur, në kundërshtim të hapur me ligjin antiduhan në fuqi. Rasti është denoncuar nga një qytetar i cili ka dërguar ankesën direkt pranë Ministrisë së Brendshme.

Pas verifikimit të ngjarjes dhe konfirmimit të shkeljes, ministrja Koçiu ka propozuar lirimin e Mahilajt nga detyra, propozim që është miratuar më pas nga qeveria. Andi Mahila ka mbajtur postin e zëvendësministrit të Brendshëm që prej janarit 2021.

Në një veprim të pazakontë por të mirëpritur nga opinioni publik, Koçiu ka njoftuar personalisht qytetarin që bëri denoncimin për masën e marrë, duke dërguar një sinjal të qartë për forcimin e etikës dhe respektimit të ligjit brenda institucioneve shtetërore.