Kreu i Bandës së Lushnjës, i dënuar me burg të përjetshëm, kërkesë Gjykatës së Krimeve të Rënda


744large_aldo bareKreu i Bandës së Lushnjës, Alfred Shkurti, i njohur si Aldo Bare, ka bërë një kërkesë në Gjykatën e Krimeve të Rënda, ku kërkon pronësinë e lagunës së Karavastasë. Ai po vuan dënimin me burgim të përjetshëm, të dhënë disa vite më parë, ndërsa kjo nuk e ka penguar që të bëjë të tjera kërkesa në gjykatën që e ka dënuar. Bare ankohet për një vendim të gjykatës që i konfiskoi lagunën, duke ia kaluar në pronësi të shtetit.


Në lagunën e Karavastasë, Aldo Bare pretendon se është pronari i ligjshëm i saj dhe jo shteti për një sipërfaqe prej mbi 1200 metrash katrorë ndërtesë dhe mbi 11 mijë metër katrorë truall, si edhe objekte të ndryshme.

Kjo pasuri është konsideruar si e paligjshme dhe e lidhur me veprimtarinë e Bandës së Lushnjës. Me një vendim të qeverisë në 2011-n, kjo pronë i ka kaluar për shfrytëzim Ministrisë së Mjedisit, ndërsa nga vitet 1998 deri më 2006-n, rezulton si pronë e Aldo Bares.

Argumentet ku mbështetet Aldo Bare për rikthimin e lagunës lidhen me gjykimin në mungesë të dosjes “Karavastaja”, për sa kohë që, sipas tij, të gjitha procedurat e ndjekura nga shteti, që nga sekuestrimi deri te konfiskimi, nuk është përfaqësuar nga një mbrojtës i tij. Mbi këtë argument, Bare shpjegon se kjo pronë i takon atij përderisa nuk janë ndjekur të drejtat për prani të barabartë të palëve në Gjykatën e Krimeve të Rënda.

Aldo Bare i thotë Gjykatës së Krimeve të Rënda se më 1998-n ua ka blerë lagunën peshkatarëve të zonës, të cilët ishin pronarët e ish-ndërmarrjes së peshkimit. Ai pretendon se blerja ka qenë e ligjshme dhe para noterit, ndërkohë që organi i akuzës këmbëngul se prona është blerë nën kërcënimin e armëve. Çështja do të shqyrtohet nga gjyqtari Fran Prendi.

laguna okVite më parë, konkretisht në vitin 2005, Bare ka qenë në Lushnjë nga ku ka firmosur nën emrin Mikel Kodra, të gjithë dokumentacionin e shitjes së lagunës së Karavastasë. Megjithëse laguna ishte marrë me qira prej tij, ai ka arritur ta shesë atë, duke nënshkruar gjithçka me emër të rremë. Pak muaj pas shitjes, e dashura e tij me emrin Denada K., ka ardhur nga Rumania dhe e bleu sërish lagunën. Gjatë hetimit pasuror, akuza nuk arriti ta marrë në pyetje ish-pronarin të lagunës, madje as të dashurën e Bares. Ajo nuk i është përgjigjur fletëthirrjes së Prokurorisë së Krimeve të Rënda për ta pyetur pas arrestimit të Aldo Bares në Turqi. Ajo gëzonte të gjitha pronat e tij, të cilat janë regjistruar në emër të saj.

Aldo Bare është akuzuar për “drejtim të organizatës kriminale”, “vrasje”, “shkatërrim të pronës me zjarr”, “dhunim të varreve”, “vjedhje me dhunë në bashkëpunim” etj. Gjatë hetimit, akuza i ka identifikuar disa pasuri. Më e rëndësishmja ka qenë laguna e Karavastasë me një sipërfaqe toke prej 11 792 m² në Divjakë – Lushnjë, së bashku me 1216 m² ndërtesa dhe pajisjet brenda ndërtesave, me barkat e peshkimit, rrjetat, dajlanët etj. Ai ka pasur një sipërfaqe prej 470 m², e ndodhur në lagjen “Çlirimi” në Lushnjë, ku përfshihen sipërfaqja prej 24 m² garazh, si edhe sipërfaqen prej 48 m² magazinë. I është sekuestruar 1.5 milionë lekë, por më vonë është pushuar gjykimi.