Pas mbledhjes së kryesisë së PD-së, deputeti i Partisë Demokratike Tomor Alizoti ka theksuar se ka propozuar aktin e shfuqizimit të përjashtimeve të demokratëve, përfshirë edhe të ish-kryeministrit Sali Berisha.

“Bashkimi i demokrateve behet jo me retorike por me akte. Duhet shfuqizuar çdo përjashtim i demokrateve, përfshire edhe Berishën. Dubet të ndodhë çblindimi i dyerve. Të hapet sa më shpejt gara, askush te mos jete i përjashtuar te marr pjese”, tha ai.

Alizoti: Sot ishte nga mbledhjet më të qeta që kemi pasur. Bëra një pakt me grupin që do të flas ato që them unë dhe jo ato që kanë folur kolegët e tjerë. Ka një problem te mbledhjet tona që gjatë diskutimit nxirren fjalët, që nuk është etike. Pikat kryesore të miat ishin këto: PD në bashkim nuk duhet të shkojë me fjalë letrare por me akte politike. Akti i parë është shfuqizimi i të gjithë përjashtimeve të demokratëve që mbledhja e nesërme të jetë me gjithë demokratët, në grupin parlamentar të jenë të gjithë demokratët.

Pika e tretë, ç’blindimi i PD. Këto janë disa simbolika, akte që afrojnë dhe palën tjetër që të unifikohemi si parti përmes akteve. Ne nuk mund të shmangim asnjë kandidat përmes deklaratave. Partia është garë. Do të dëshiroja që partia të kishte kandidatë që do ti përkisnin të ardhmes, por këtë e vendosin demokratët. Ne e zgjidhim krizën jo duke bërë retorikë bashkimi, shtrim dore. Politika ka akte. Të hyjmë në një garë ku të fitojë më i forti.

Deputeti demokrat tha se e gjithë kjo do të ndodhë në një proces por duhet të ndodhë sa më shpejt. I pyetur mbi reagimin e Alibeajt, ai u shpreh: “Alibeaj e shënoi dhe e priti me buzëqeshje, do të shikohet në aktet në vijimësi”. Nga ana tjetër Alizoti tha se nuk është kontaktuar nga Komisioni i Rithemelimit.