Kreu i SPAK, Altin Dumani, ka raportuar ditën e sotme në Kuvend mbi veprimtarinë e Prokurorisë së Posaçme gjatë vitit 2024.

Gjatë fjalës së tij, Dumani tha se roli i SPAK ka ndihmuar Shqipërisë për të përmirësuar me 5 pikë rezultatin e saj në indeksin global të korrupsionit.

Ai tha gjithashtu se SPAK gjatë hetimeve ka ndjekur parimin e ligjshmërisë dhe proporcionalitetit, teksa shtoi se vetëm 9.7 % e numrit të paraburgosurve në Shqipëri, janë nën hetim nga Prokuroria e Posaçme.

“DASH nënvizoi disa nga hetimet e suksesshme të SPAK, duke evidentuar kontributin e institucionit në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Nga ana tjetër roli i SPAK ka ndihmuar Shqipërinë për të përmirësuar me 5 pikë rezultatin e saj në indeksin global të korrupsionit, të matur nga Transparenc Internacional. Sa i përket zbatimit të rekomandimeve të raportit të BE-së, po ndalem shkurtimish te secili prej tyre.

Sekuestrimet dhe konfiskimet e aseteve kriminale arritën në një vlerë prej 65.5 milionë euro, me një rritje prej 60 % krahasuar me vitin 2023. Gjatë vitit 2024 SPAK forcoi bashkëpunimin me EuroXhast, EuroPol, DEA, FBI, etj.

SPAK ka marrë të gjitha masat për të siguruar aplikimin e njëjtë të standardeve proceduriale, duke ndjekur parimin e ligjshmërisë dhe proporcionalitetin. Vetëm 9.7 % e totalit të numrit të paraburgosurve në Shqipëri, janë persona nën hetim nga SPAK. SPAK kreu hetime gjatë vitit 2024 për kriptovalutat dhe krimet kibernetike”, tha mes të tjerash Dumani.