Kryeprokurori i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani, zhvilloi një vizitë zyrtare në Washington D.C., më 2 dhe 3 shtator, ku takoi zyrtarë të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, Departamentit të Drejtësisë dhe FBI-së. Qëllimi kryesor i vizitës ishte forcimi i bashkëpunimit në luftën kundër organizatave kriminale, trafikut të lëndëve narkotike dhe pastrimit të parave.
Sipas një njoftimi zyrtar të SPAK, gjatë takimeve u theksua rëndësia e partneritetit të ngushtë mes institucioneve ligjzbatuese të Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, si një element kyç në përballjen me krimin e organizuar me përmasa ndërkombëtare.
Gjatë vizitës, Dumani shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA, duke theksuar se përkushtimi amerikan ka qenë vendimtar për forcimin e institucioneve të drejtësisë në Shqipëri dhe rritjen e besimit të qytetarëve në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Drejtuesi i SPAK mori pjesë në Konferencën e DEA-s në SHBA, njofton SPAK më tej.
“Me ftesë të Agjencisë Amerikane Kundër Narkotikëve (DEA), Drejtuesi i SPAK, zAltin Dumani mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare për Zbatimin e Ligjit për Narkotikët, e cila u zhvillua në Nashville të Tennessee më 26-28 Gusht. Konferenca e titulluar, “Uniteti global për një të ardhme më të sigurt: Forcimi i aleancave kundër krimit transnacional” , u përshëndet nga Prokurorja e Përgjithshme e Shteteve të Bashkuara, Pamela J. Bondi.
Gjatë konferencës, Dumani zhvilloi një takim me administratorin e DEA-s, Terrance Cole, ku u vlerësua bashkëpunimi ekzistues në luftën kundër trafikut ndërkombëtar të narkotikëve dhe rëndësia e vazhdimit dhe zgjerimit të tij në të ardhmen“.
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme pati takime edhe me drejtues të agjencive të rëndësishme të zbatimit të ligjit të vendeve pjesëmarrëse në konference, me të cilët diskutoi mundësinë e krijimit të urave të komunikimit si edhe forcimin e marrëdhënieve ekzistuese, për të luftuar trafikun ndërkombëtar të narkotikëve.