Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish me tone të forta dhe plot ironi, këtë herë për të mbrojtur kreun e SPAK, Altin Dumani, pas kritikave që ky i fundit ka marrë së fundmi.

“Altin Dumani është një burrë i ndershëm prej shumë vitesh,” tha Rama, duke theksuar se asnjëherë më parë nuk ishte parë një prokuror që të thërriste njerëz në pushtet përpara drejtësisë, apo të shiheshin politikanë duke hyrë në prokurori si në “festivalin e Kanës”.

Ai kundërshtoi akuzat se Dumani ka ardhur “nga hëna”, duke nënvizuar se ai ka një karrierë të gjatë si prokuror, por nuk kishte pasur më parë “shpatën” e drejtësisë, që sipas Ramës “ishte në këtë zyrë këtu”, duke iu referuar zyrës së kryeministrit.

“Bufi futi në burg kundërshtarin e tij politik me drejtësi kukull. Unë atë shpatën ia mora dhe ia dorëzova drejtësisë,” shtoi Rama, duke shprehur solidaritet të plotë me Dumanin dhe duke akuzuar kundërshtarët për sulme të padrejta ndaj tij.

Deklaratat u bënë si pjesë e nismës “Sy më sy”, përmes së cilës Kryeministri komunikon drejtpërdrejt me qytetarët në rrjetet sociale.