Autoriteti i Mediave Audiovizive synon të forcojë luftën kundër piraterisë në Shqipëri, përmes krijimit të një koalicioni ku do të përfshihen operatorët e ligjshëm të tregut dhe institucionet përgjegjëse.
Nisma vjen në një kohë kur shkeljet e të drejtave të transmetimit janë shtuar, të ndikuara edhe nga zhvillimi i teknologjisë. Për këtë arsye, AMA u ka propozuar subjekteve të tregut nënshkrimin e një memorandumi bashkëpunimi, i cili do të përcaktojë mënyrën e raportimit dhe reagimit ndaj rasteve të evidentuara.
Kryetarja e institucionit, Armela Krasniqi, bëri të ditur se mbajtësit e të drejtave do të kenë përgjegjësinë të paraqesin denoncime të dokumentuara, ndërsa ofruesit e internetit do të duhet të ndërmarrin veprimet teknike pas njoftimeve përkatëse. Në këtë proces pritet të përfshihet edhe AKEP-i, si autoriteti mbikëqyrës i telekomunikacionit.
Bilanci i deritanishëm i AMA-s për vitin 2026 evidenton 222 kontrolle në terren dhe 11 gjoba të vendosura, ku pesë prej tyre lidhen me shkeljen e të drejtave të transmetimit.
Gjatë kësaj periudhe, pas raportimeve të institucionit janë çaktivizuar 32 serverë që funksiononin pa autorizim, janë hequr tri aplikacione dhe janë sekuestruar pajisje në tre raste të veprimtarisë së paligjshme.
Një tjetër instrument në funksion të kësaj nisme është edhe platforma elektronike PENPA, e cila do të mundësojë raportimin, verifikimin dhe monitorimin e rasteve të piraterisë audiovizive.
