Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka publikuar sot në 16 janar një deklaratë të Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, në të cilën ai shpreh shqetësimin e tij për gjendjen e lirisë së fjalës në Europë.

Rubio thekson se kjo liri përbën një nga vlerat themelore mbi të cilat janë ndërtuar aleancat dhe partneritetet mes Shteteve të Bashkuara dhe vendet europiane.


Ai nënvizon se respektimi dhe mbrojtja e të drejtës për të shprehur mendimin është një nga parimet kyçe që duhet të udhëheqin marrëdhëniet ndërkombëtare dhe bashkëpunimin transatlantik, duke e konsideruar lirinë e shprehjes si një gur themeli të bashkëpunimit dhe sigurisë në kontinentin europian.

“Aleancat tona me partnerët tanë europianë janë ndërtuar mbi parimet tona të përbashkëta, vlerat tona të përbashkëta… Një nga këto vlera dhe parime, shpresojmë, është liria dhe liria e shprehjes”, shprehet sekretari Rubio.


Rubio shprehet gjithashtu se promovimi i këtyre vlerave ndihmon në forcimin e lidhjeve mes aleatëve dhe ruajtjen e stabilitetit politik dhe demokratik. Më herët, Rubio ka deklaruar se SHBA-të janë të shqetësuar për lirinë e fjalës në Europë.