Ambasada e Zvicrës në Tiranë ka shprehur shqetësimin për përshkallëzimin e dhunës gjatë protestave të fundit në Shqipëri, duke dënuar shkatërrimin e pronës publike dhe private.

Përmes një deklarate, ambasada u ka bërë thirrje të gjitha palëve të tregojnë vetëpërmbajtje, të shmangin përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës dhe të zgjedhin dialogun si rrugë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

Zvicra thekson se e drejta për tubim paqësor është një element thelbësor i shoqërive demokratike dhe se autoritetet duhet të garantojnë ushtrimin e saj, krahas mbrojtjes së lirisë së medias.

Në reagim, ambasada u drejtohet gjithashtu forcave të sigurisë, duke nënvizuar se veprimet e tyre duhet të jenë në përputhje me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

“U bëjmë thirrje të gjitha palëve të ushtrojnë përmbajtje, të ulin tensionet dhe t’i japin përparësi dialogut konstruktiv”, thuhet në deklaratë.