Ambasadori i SHBA në NATO, Matthew Whitaker, ka vlerësuar nga afër kapacitetet ushtarake të Shqipërisë gjatë një vizite në bazën ajrore të Kuçovës.

Përmes një postimi në “X”, ai bëri të ditur se zhvilloi një fluturim mbi bazën, i shoqëruar nga ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, duke theksuar se vendi po rrit aftësitë në mbrojtjen kibernetike dhe po merr më shumë përgjegjësi

Whitaker theksoi se këto çështje i diskutoi edhe me kryeministrin Edi Rama dhe ekipin e tij gjatë vizitës në Tiranë.

Ai nënvizoi gjithashtu se SHBA pret që Shqipëria të arrijë objektivin për shpenzimet në mbrojtje në nivelin 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, të kërkuar nga Donald Trump, si një hap i rëndësishëm për rritjen e mëtejshme të kapaciteteve ushtarake dhe lëvizshmërisë në rajon.

“Në Shqipëri, pata një tur informues nga ajri mbi Bazën Ajrore të Kuçovës, i shoqëruar nga ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi. Shqipëria po rrit ndjeshëm kapacitetet në mbrojtjen kibernetike, është e angazhuar në operacionet për paqe dhe në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit në Gaza, si dhe në misione të tjera. Gjatë diskutimeve me kryeministrin Edi Rama dhe ekipin e tij, theksova se presim të shohim çfarë më shumë mund të arrihet për lëvizshmërinë ushtarake, pasi Shqipëria të përmbushë objektivin e Presidentit Donald Trump për shpenzimet në mbrojtje në nivelin 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto” shkruan ai në X.