Takimi
Kryediplomati i SHBA-së në vendin tonë: Hetoni dhe gjykoni çdo person, pavarësisht postit
Gjatë një trajnimi në Shkollën e Magjistraturës me gjyqtarët dhe prokurorët e ardhshëm, ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu ka folur sërish për drejtësinë e pakorruptueshme dhe eficencën për të ndëshkuar ndaj cilitdo, pavarësisht pozicionit që ai ka. “Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk ka rëndësi nëse je senator, nëse je shofer kamioni apo shtëpiake, nëse e kalon cakun do të marrësh penalitetin për këtë. Kjo lidhet me një prokuror të mirë, me një gjyqtar të mirë, pra do të vuash pasojat e asaj që ke bërë. Ne flasim gjithnjë për shtetin ligjor, për sistemin ligjor, pas pak kohësh na mësohen veshët dhe na tingëllon si fjalë. Duhet ta kuptojmë që shteti ligjor është një sistem dhe në SHBA, nëse kapesh, atëherë do të paguash për atë që ke bërë”, tha Arvizu.
Ambasadori amerikan përmendi humbjen e një 25-vjeçareje në Afganistan pak ditë më parë dhe risqet që vajza nga Çikago kishte marrë parasysh në emër të vendit të saj. Të njëjtën gjë duhet të kenë parasysh edhe gjyqtarët dhe prokurorët e ardhshëm, të cilët përpara çdo rreziku duhet të kujtojnë se e kanë bërë zgjedhjen e tyre. “Ju kërkoj të kujtoni këtë gjë që unë shpreha dhe ju thashë, dy gjëra; së pari unë bëra zgjidhjen time, dhe së dyti, unë mund të sjell ndryshim”, tha Arvizu.