Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Michel Tarran, gjatë një deklarate për mediat nga Korça, u ndal te e drejta e qytetarëve për të protestuar, në kuadër të tubimeve që ndodhin në Tiranë prej 41 ditësh, klima politike në vend dhe nevoja për forcimin e dialogut mes palëve politike. Ai theksoi se protestat janë pjesë normale e një shoqërie demokratike, ndërsa vlerësoi zhvillimin e tyre në mënyrë paqësore. Në të njëjtën kohë, ambasadori ngriti shqetësimin për nivelin e dialogut politik në Shqipëri dhe përdorimin e gjuhës së urrejtjes.
Për protestat, ambasadori Michel Tarran u shpreh:
“Së pari duhet të them që protestat janë një aspekt normal i jetës demokratike dhe gëzohem shumë që Shqipëria u bë tani një vend ku protesta të tilla mund të organizohen. Edhe në mënyrë shumë qytetare, në mënyrë shumë paqësore. Ka pasur disa incidente por në përgjithësi, nëse shikojmë pas më shumë se një muaji, nuk ka pasur incidente të rëndësishme. Dhe njerëzit që shkojnë në protestë këtë e bëjnë në mënyrë civile, dhe kjo është, siç thashë, një aspekt shumë simpatik, shumë i mirë i jetës demokratike të vendit tuaj.
Sa i përket çështjet me të cilat merren ose për të cilat nuk janë dakord qytetarët që marrin pjesë në këto protesta, sigurisht që nuk është mandati im që të hyj në këtë debat. E dëgjoj, e shikoj, e kuptoj, të paktën mundohem ta kuptoj çfarë janë kërkesat. Vetëm jemi shumë kujdesshëm që të drejtat e qytetarëve për të marrë pjesë në këtë lloj protestash të jenë të respektuara nga pushteti, edhe inkurajojmë dialogun kur është e mundur.”
I pyetur për polarizimin politik dhe ndikimin e tij te qytetarët dhe shoqëria demokratike, ambasadori deklaroi:
“Ju e dini tani ka hyrë në fjalor politik në Shqipëri dhe në vend tjetër kjo fjalë, ‘polarizimi’, me një konotacion, me një ide negative. Fakti që ekzistojnë polet dy ose tre, ose më shumë pole në fushën politike është diçka normale. Është tamam karakteristika e vendeve demokratike. Keni pasur këtu në Shqipëri një sistem kur s’kishte pole, domethënë kishte vetëm një pol politik. Domethënë, s’duhet të shikojmë polarizimin vetëm nga pikëpamja negative. Fakti që ekzistojnë vendime të ndryshme, parti të ndryshme me programe të ndryshme, është diçka pozitive.
Një gjë tjetër është problemi i si bashkëpunojnë, diskutojnë polet e ndryshme. Dhe fatkeqësisht duhet të thoni që dialogu në politikë në Shqipëri nuk është në nivelin e duhur. Dhe them unë këtë jo vetëm nga pikëpamja e substancës të dialogut, por them gjithashtu edhe nga pikëpamja e mënyrës të dialogut. Sepse mund të kesh ide absolutisht kundërshtare me njerëz me një tjetër, duke shprehur mendimin tënd në mënyrë të sjellshme, të pranueshme. Ne tani do të punojmë të shikojmë se çfarë mund të bëjmë për të ndihmuar për të luftuar kundër çfarë quhet “hate” (gjuhën e urrejtjes) që nuk është e pranueshme. Edhe një herë që të mos jesh dakord me komshiun, ose me kolegët është normale, por duhet të diskutosh, duhet të organizosh zgjedhjet. Kush fiton zgjedhjet, më vonë implementon programin e tij ose të saj, e duhet ta respektosh dhe duhet ta kesh mënyrën për të dialoguar me opozitën, brenda partisë dhe kuptoj unë që, siç thashë në fillim, që fjala polarizimi ka hyrë në fjalor bashkëkohor politik duke treguar diçka negativ, duke treguar për mosdialogun, mungesën e dialogut, ose dialogun në mënyrë shumë të ashpër me fjalor të papranueshëm.”
