Pas debatit të krijuar në vendin tonë në lidhje me amendamenti ne miratuar nga Parlamenti Europian në lidhje me zonat e mbrojtura, ka ardhur reagimi i parë nga PE.
Eurodeputetja italiane Cristina Guarda ka reaguar në lidhje me pretendimet e kryeministrit Edi Rama, i cili këmbëngul se amendamenti i miratuar nuk ka lidhje me planet për ndërtimin e një resorti turistik në Zvërnec, por prek vetëm zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë. Në reagim, Guarda shprehet se kryeministri Rama nuk e ka pritur aspak mirë miratimin e këtij amendamenti dhe shton se, “Të Gjelbrit” vendosën të mbajnë një qëndrim të qartë kundër veprimeve në një nga zonat më të ndjeshme të Shqipërisë. Sipas saj, në Shqipëri po injorohen alarmet e komunitetit shkencor dhe kërkesat e shoqërisë civile, për të privilegjuar interesat ekonomike të pakicave.
Në përfundim, eurodeputetja thekson se PE kërkon një moratorium të menjëhershëm për autorizimet e reja, kantieret dhe projektet deri sa të ketë mbrojtje të zonave të mbrojtura.
Reagimi i plotë:
Neni ynë për zonën e Vjosë-Nartës u miratua me shumicë të madhe, por Kryeministri shqiptar Edi Rama nuk e priti aspak mirë. Si të Gjelbër kemi zgjedhur të marrim një qëndrim të qartë kundër veprimeve në një nga zonat më të ndjeshme të Shqipërisë, rezultat i një modeli turizmi dhe zhvillimi eksploatues që injoron alarmet e komunitetit shkencor dhe kërkesat e shoqërisë civile, duke privilegjuar interesat ekonomike të pakëve.
Në raportin vjetor për Shqipërinë që kemi votuar dje në Strasburg, njohëm hapa përpara dhe një afërsi gjithnjë e më të madhe mes Shqipërisë dhe Europës, por nuk mjafton. Ka ende shumë aspekte ku duhet të punojmë në mënyrë të integruar, dhe protestat paqësore të këtyre ditëve hedhin dritë mbi to sepse na tregojnë një vend ku njerëzit angazhohen për të mirën e përbashkët, tejkalojnë interesat private dhe bashkohen për demokracinë, për të zgjedhur së bashku për fatin e territorit të tyre, që është një projekt politik.
Liria e shtypit, korrupsioni, presionet mbi gjyqësorin, të drejtat e minoriteteve dhe sot edhe mbrojtja e mjedisit: sfidat janë ende shumë. Ne kërkojmë një moratorium të menjëhershëm për autorizimet e reja, kantieret dhe projektet deri sa të ketë mbrojtje të zonave të mbrojtura. Ta ndalojmë këtë model, të dëgjojmë kërkesat e atyre që dalin në shesh.
