Në një intervistë për emisionin “Shqipëria Live”, Elton Ilirjani ka shprehur mendimin e tij mbi ligjin e barazisë gjinore dhe diskutimet rreth komunitetit LGBT në Shqipëri. Sipas tij, Shqipëria nuk duhet të ndjekë modelet e vendeve të tjera, siç është rasti i Amerikës, ku është krijuar mundësia për të regjistruar tre gjini në pasaportë: femërore, mashkullore dhe “X”.
Ilirjani ka theksuar se çdo shtet ka ligjet e veta dhe se ligji në Shqipëri është ende i paqartë dhe ka dy grupe ekstreme që përfshihen në këtë çështje: të djathtët dhe LGBT. Ai ka shprehur shqetësimin se grupimi LGBT ka fokusuar shumë vëmendjen në çështjet e transgjinorëve, duke harruar problemet që ndodhin brenda komunitetit, ndërsa ka përmendur edhe ndikimin e ekstremit të majtë në këtë drejtim.
Për sa i përket qëndrimeve konservatore të shqiptarëve, Ilirjani ka theksuar se ata kanë një lidhje të ngushtë me traditat dhe kulturat shekullore dhe nuk kanë nevojë për ndërhyrje të jashtme, si nga pastorët apo nga influencat e jashtme.
“Amerika nuk duhet marrë shembull për barazinë gjinore, sepse ka ligjet e veta. Në New York, sa di unë, në pasaporta ka tri gjini: femërore, mashkullore dhe ‘X’. Tani, me vendimin e presidentit, ka shkuar në gjykatë dhe duan ta heqin këtë mundësi.
Ne si shqiptarë duhet të bazohemi te vetja, jo tek Amerika dhe se si e ka bërë ajo. Çdo shtet ka ligjin e vet dhe këtu ligji është i paqartë. Janë dy ekstreme: njëra është e djathta që ka një grupim me pastorë ose klerikë të tjerë, dhe mendoj se është çudi pse nuk ka myslimanë, por vetëm kristianë. Nga ana tjetër, kemi grupimin LGBT, por nuk morën mendim nga unë, sepse mendoj ndryshe nga ata brenda komunitetit. Kam mendime të ndryshme nga ata dhe jam i bindur që kanë interesa të caktuara.
Komuniteti ynë ka disa kauza, por mendoj se kanë harruar çfarë po bëjnë. Po merren me transgjinorët, jo me gejtë. Pse? Sepse ka gisht edhe e majta ekstreme, ata që janë fokusuar vetëm te transgjinorët dhe nuk flasin më për lesbike, gej dhe biseksualë. Po merren me “hajde t’i mësojmë fëmijët se janë në trupin e gabuar”. Çfarë është kjo? Asnjë person nuk është në trupin e gabuar! Ata po kapin ekstremin tjetër, që quhet i djathtë, që thonë “po na prishin familjen”, dhe kanë të drejtë, sepse komuniteti ynë ka gabuar.
Shqiptarët janë konservatorë dhe nuk kanë nevojë për pastorë. Ata janë konservatorë sepse duan të rrisin fëmijët me kultura dhe tradita shekullore, dhe kjo nuk ka të bëjë me krishterimin. LGBT është gati 20% e shoqërisë, por konservatorët janë gabim në mënyrën se si po e godasin këtë.”, tha Ilirjani.
