Mbrojtja e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit ka sjellë prova dhe fakte, dëshmi konkrete të mënyrës se si është zhvilluar lufta në Kosovë dhe se cili ka qenë roli i secilit prej tyre.

Është theksuar se në atë kohë nuk ka pasur hierarki të UÇK dhe shtabi i përgjithshëm ka vepruar kryesisht në aspektin politik të njohjes së realitetit në Kosovë, duke kërkuar mbështetje konkrete.

James Rubin, Uesley Clark, Uilliam Ualker dhe Bernard Kouchner janë dëshmitarët e thirrur nga Mbrojtja. Secili prej tyre ka ushtruar funksione të rëndësishme në atë periudhë të vështirë në Kosovë.

James Rubin, Ish-ndihmës sekretar i Shteteve të Bashkuara dhe bashkëpunëtor kryesor i seretares Madeleine Albright, gjatë dëshmisë, Rubin bëri të qartë se ndryshe nga sa pretendon prokuroria speciale, Thaçi nuk kishte kontroll të efektshëm komandimi mbi strukturat ushtarake. Pra, ai rrëzon thelbin e aktakuzës.

“Unë mendoj vërtetë se kjo ka qenë e gabuar, kjo nuk është drejtësi kjo është një mënyrë e pazakontë për të trajtuar një burrë shteti i cili është dorëzuar vullnetarisht. Sekretarja Albright nuk ka pasur këtë lloj drejtësie në mendje kur e ka iniciuar krijimin e ish-tribunalit të Hagës. Mua kjo më është dukur si fajësim kolektiv për shkak se Hashim Thaçi ka qenë udhëheqës i UÇK-së”, është shprehur Rubin.

Ai tha se nuk kishte informacion që t’i lidhte Thaçin ose edhe Jakup Krasniqin me akuzat për ekzekutime. Madje, informacione të tilla nuk ka as një agjenci prestigjoze si CIA amerikane, ajka e inteligjencës botërore.

Ne nuk kemi gjetur asnjë të dhënë, asnjë provë, asnjë informacion, që lidhte pretendime të tilla për ekzekutime dhe për vrasje me udhëheqës të tillë, as me z. Krasniqi as me z. Thaçi.

Rreth 25 vite që jam larguar nga qeveria kam pyetur të gjithë ata që mund të kishin pasur informacion lidhur me këtë pretendim dhe jo vetëm në vitin 2000, por edhe dekada më vonë kur miqtë dhe shokët e mi kishin mundësi që të më jepnin informacione që kishin qenë informacione inteligjente CIA, asnjëherë nuk më kanë dhënë të dhëna apo informacione që bëjnë lidhjen e këtyre pretendimeve me ndonjë nga drejtuesit e UÇK-së.

Në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka dëshmuar juristi i së drejtës ndërkombëtare, Paul Williams, i cili është ish-këshilltar ligjor i delegacionit të Kosovës në Rambuje gjatë 1999-ës.

Williams tha se delegacioni i shqiptarëve të Kosovës në Rambuje, ishte pro angazhimit për Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë. Ai pohoi se Hashim Thaçi e dinte që kjo mund të përfshijë edhe hetime potenciale ndaj anëtarëve të UÇK-së dhe për këtë ishin dakord. Willimas tha se delegacioni kosovar e donte Tribunalin Penal Ndërkombëtar për Ish-Jugosllavinë si mekanizëm të drejtësisë në Kosovë. Pra, ata nuk kishin asgjë për të fshehur!

Këta dëshmitarë, ish zyrtarë perëndimorë të nivelit të lartë, ushtruan funksione në kohën e luftës. Ata patën kontakte të drejtpërdrejta me Thaçin dhe të tjerët. Ata nuk morën informacione, apo dokumente nga Serbia, por ishin në Kosovë në atë periudhë kohore për të cilën sot në bankën e të akuzuarve janë liderët e UÇK-së.