Zyrtarët e Uashingtonit nuk kontrollojnë më shumë gjëra pas largimit të trupave
Kur një grup amerikanësh dhe rojet e tyre të armatosura rëndë shkuan në ambasadën e Turqisë për një festë në shtator, policia irakiane jashtë bllokoi rrugën e tyre. Për sa kohë nuk dorëzonin armët e mbajtura nga oficerët e sigurisë, sipas politikës së ambasadës turke, delegacioni i diplomatëve amerikanë nuk do të lejohej të hynte.
Se çfarë ndodhi pas kësaj, dy të ftuar të darkës thonë se nuk qe shumë e qartë. U dëgjua një e shtënë, sipas shumë gjasave, një e shtënë paralajmëruese nga policia irakiane. Amerikanët hipën në makinat e veta dhe u kthyen mbrapsht. Mes të gjithë dhunës dhe bombave të dekadës së fundit, kjo përplasje kaloi pa u vënë re fare. Por ajo tregon se si ndikimi i Shteteve të Bashkuara po bie në Irak me shpejtësi. Një vit pasi trupat amerikane janë tërhequr nga Iraku, zyrtarët amerikanë dhe makinat e tyre janë zhdukur nga rrugët e Bagdadit. Kur zyrtarët dalin nga ambasada e tyre e fortifikuar, dukshëm ata nuk janë më sundimtarët de facto të këtij vendi, siç qenë dikur. Shumë nga zyrtarët duket se përpiqen të shmangin kontaktet me qeverinë e Nouri-al Maliki. Një zyrtar amerikan i tha “Reuters” se ai nuk kishte dalë nga ambasada për gati tre vjet me përjashtim të rastit kur u nis për t’u kthyer në SHBA. “Amerikanë?”, pyeti një zyrtar irakian ndërsa po intervistohej për marrëdhëniet mes dy vendeve. “Do të më pëlqente të shihja ndonjë prej tyre”.
Në Uashington dhe kryeqytetet e tjera perëndimore ka një shqetësim në rritje për dështimin e bisedimeve për të lënë një prani të përhershme ushtarake amerikane, gjë që mund t’i lërë amerikanët përgjithmonë jashtë ndikimit të politikave në Bagdad. Për t’i përkeqësuar gjërat më shumë, ka dyshime se qeveria me bazë shiat në Irak, po lëviz gjithnjë e më pranë Iranit, armikut kryesor amerikan në rajon.
Raportimet se Teherani po përdor hapësirën ajrore të Irakut – e ndoshta edhe aeroportet e saj e rrjetin rrugor – për të furnizuar me armë aleatin e vet, Bashar al-Assad në Siri, e ka shtuar këtë dyshim. Për disa, ekziston edhe mendimi se rrëzimi i regjimit të Sadam Huseinit, i cili bazohej te minoranca suni e Irakut, ndoshta nuk qe në interes të SHBA-së. Uashingtoni ndërkohë zyrtarisht thotë se marrëdhëniet mbeten të ngushta me Bagdadin. Bisedimet dypalëshe janë të shumta, përfshirë kontratat për shitjet e armëve dhe çështjet rajonale. Por tensioni mbetet gjithashtu i dukshëm.
Ambasada e SHBA-së në Bagdad është më e madhja në botë, ka përmasat e qytetit të Vatikanit dhe ka kushtuar 750 milionë dollarë për t’u ndërtuar. Ajo supozohej të qe simbol i një pranie të qëndrueshme. Në fakt, rezultoi se qe një simbol i mbivlerësimit të Uashingtonit për ndikimin që do të kishte pas luftës.
Zyrtarët amerikanë thonë se në fund të fundit, jo gjithçka ka ecur keq. Rritja e prodhimit irakian të naftës ka krijuar furnizim të mjaftueshëm për botën aq sa SHBA-ja dhe Europa nuk e patën problem t’i vendosnin embargo Iranit. Konflikti në Siri, nga ana tjetër, tregon se sa keq do të qe rënia e Sadam Huseinit nga brenda në rast se SHBA-ja nuk do ta kishin rrëzuar atë më 2003. Shumë analistë mendojnë se rënia e ndikimit të Uashingtonit mbi këtë shtet qe në fund të fundit, e pashmangshme.
“Nuk e kuptoj se pse habiteni”, thotë Douglas Ollivant, një ish-zyrtar i ushtrisë amerikane, tashmë ekspert i lartë në Institutin për Amerikën e Re. “Tashmë Iraku është shumë më pak i varur nga ne dhe po e gjen vetë rrugën e vet”.
Por në fakt, deri në fund të vitit të kaluar, ekspertët nuk besonin se SHBA-ja do të mbeteshin tërësisht pa prani ushtarake në Irak. Por Iraku po i reziston një marrëveshjeje për prani të përhershme ushtarake. Diskutimet kanë ngecur në një pjesë të marrëveshjes që thotë që trupat amerikane duhet të kenë imunitet nga arrestimi dhe gjykimi në Irak. Kjo është gjithashtu e kushtueshme për shkak se SHBA-ja po përdorin kompani private sigurie për sigurinë dhe trajnimin e ushtrisë irakiane në vend që të përdornin ushtrinë e tyre.
Nga ana tjetër, shumë ekspertë besojnë gjithashtu se Iraku nuk ka qenë kurrë pro-amerikan dhe vijon të jetë i tillë. “Në realitet Iraku nuk ka qenë kurrë i yni dhe nuk kemi si të humbasim diçka që nuk është e jona”, tha një ekspert.