Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit në SHBA, Mark Fleming, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Tiranë, ku është takuar me drejtues të institucioneve të drejtësisë dhe përfaqësues të politikës shqiptare.

Gjatë qëndrimit të tij, Fleming ka vizituar Prokurorinë e Posaçme, ku është pritur nga kreu i saj, Altin Dumani. Në qendër të takimit ka qenë bashkëpunimi ndërinstitucional dhe mbështetja që Shtetet e Bashkuara i japin reformës në drejtësi dhe forcimit të luftës kundër korrupsionit.

Në kuadër të kësaj vizite, zyrtari amerikan ka zhvilluar takime edhe me ministren e brendshme, Albana Koçiu, dhe ministrin e Drejtësisë, Besfort Lamallari. Bisedimet janë fokusuar në vijimin e bashkëpunimit për forcimin e institucioneve të rendit dhe zbatimit të ligjit.

Fleming është takuar gjithashtu me përfaqësues të opozitës, ndër të cilët Gazment Bardhi, Belind Këlliçi dhe Jorida Tabaku. Diskutimet kanë prekur zhvillimet më të fundit politike në vend dhe rëndësinë e ruajtjes së integritetit institucional në proceset hetimore.

Vizita e zyrtarit të lartë amerikan konfirmon se Uashingtoni mbetet i angazhuar në mbështetjen e institucioneve të reja të drejtësisë dhe në forcimin e sundimit të ligjit në Shqipëri.