Gjatë vitit 2023, u regjistruan 156 procedime penale për Pastrim Parash. Por, 80 procedime, pra, gjysma e tyre u pushuan.

Në periudhën 2019-2023 janë pushuar në total 467 procedime penale për veprën e pastrimit të parave nga 1295 dosje. Këtu fjala është për hetimet e nisura nga prokuroritë e juridiksionit të zakonshëm ku vëmendja është më e ulët pas bujës që prodhuan operacionet e SPAK. Pyetja që ngrihet rëndom është: si ka mundësi që një procedim i nisur nga vetë Prokuroria, në fund pushohet po me kërkesën e organit të akuzës…

‘Kjo është procesi të provuarit, s’ka rëndësi, duhet provuar që vepra mëm të jetë në gjenezën e krimit, se si kryhet pastrimi po them nga trafiku përmes bashkëpuntorëve të tretë, duke fshehur pasurinë te të tjerët është tjetër problem por prokuroria s’duhet të jetë abuzive te përcaktimi veprës mëmë’ u shpreh Eugen Beci, ish prokuror

‘Neve deri tani s’kemi asnjë rast të paktën provuar që njerëz që kanë hetuar rastet të jenë të dyshuar nga organe tjera, që me qëllim të kenë vonuar hetimin për të mbuluar të vërtetën, nuk kemi’ u shpreh ish prokurori, Shkëlqim Hajdari

Ne i jemi drejtuar disa prokurorive në rrethe me kërkesë për informacion. Nga analiza makro, tek prokuroritë e vecanta, tendenca ngjason me shifrën e përgjithshme. Nëse i referohemi Prokurorisë së Fierit, një prej zonave ku operojnë grupet më të fuqishme të krimit të organizuar, edhe aty gjysma e procedimeve për pastrim parash shuhen rrugës. Në periudhën 2019-2023 janë regjistruar 121 procedime, nga të cilat 58 janë pushuar. Vetëm 7 raste kanë shkuar për gjykim.

Nëse analizojmë në tërësi të gjitha hallkat e sistemit, del edhe më qartë se sa masive janë çështjet e dyshuara për pastrim parash që mbyllen rrugës.

Gjatë vitit 2023, vetëm Agjencia e Inteligjencës Financiare raportoi plot 1728 raste të dyshimta. Nga këto, u referuan në prokurori dhe polici 220 çështje. Siç zbuluam më sipër, vetëm për 156 raste u regjistruan procedime. Gjysma e të cilave, u pushuan. Për çështjet e referuara, në pjesën dërrmuese subjektet ishin të dënuar në themel për veprimtari të ndryshme kriminale ose ishin nën hetim. Pra, ata nuk e justifikonin pasurinë dhe kishin precedent penal. Kjo, i përforcon dyshimet.

‘Mendoj se treguesit dmth, nuk janë atje ku duhet, sepse gjysma pushuar e gjysma ka shkuar mirë, kjo për mendimin tim nxjerr si domosdoshmëri që organet shqiptare duhet të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën, s’janë çështje që hetohen thjesht nga prokuroria’ u shpreh ish prokurori, Shkëlqim Hajdari

Në raportin publik të Prokurorisë së Posaçme për vitin 2023, një kapitull i vecantë i kushtohej analizës së Pastrimit të Parave nga Mafia Ndërkombëtare. Pikërisht, fenomenit që shpesh kalon në heshtje me mbylljen masive të dosjeve. Format e renditura të pastrimit të parave janë nga më të ndryshmet. Nga transfertat përmes kompanive fiktive, tek blerjet e pasurive të paluajtshme etj. Të dhënat e Censusit të vitit 2023 zbuluan se plot 350 mijë banesa në Shqipëri ishin bosh. Një situatë që nuk shpjegon rritjen e kërkesës në treg dhe cmimet. Pyetjes se kush blen apartamente, i përgjigjen dhjetëra aksione, jo vetëm ndaj shqiptarëve, por edhe ndaj të huajve kundër pastrimit të parave.

‘Ne kemi pasur shtim të investitorëve të huaj që janë orientuar te industria më problematike, ndërtimi, real estate kryesisht dhe ti kupton që real estate është bërë si mjalt për grerëzat, lavatrice pastirmi parash në Shqipëri’ u shpreh Pano Soko, ish prokuror

‘Këtu duhet të jemi të kudjesshëm se ka edhe blerje për arsye të tregut të përshtatshëm të shitjes së pronave që janë në Tiranë apo bregdet, dhe këtu ka arsye që s’duhet të kemi shqetësim të madh se janë qytetarë nga BE. Por këtu brenda mund të ketë dhe blerje nga rrjete kriminale’ u shpreh ish prokurori, Shkëlqim Hajdari