Lufta


Historia tregon se marrëveshje të tilla nuk funksionojnë për të nisur procese politike


Rreth 1.7 milionë palestinezët që jetojnë në 365 kilometrat katrorë të njohura si Rripi i Gazës u përpoqën të rifillojnë jetën “normale” pas tetë ditësh konflikti ndërsa armëpushimi i njoftuar mes Hamasit dhe Izraelit hyri në fuqi dhe rezultoi i qëndrueshëm. Marrëveshja sanksionon që Izraeli të heqë dorë nga vrasja e udhëheqësve të Hamasit dhe Hamasi të heqë dorë nga lëshimi i raketave si dhe të detyrojë grupimet e tjera militante të mos hapin zjarr ndaj Izraelit. Marrëveshja përcakton gjithashtu që Izraeli të lehtësojë qarkullimin e mallrave dhe njerëzve, por detajet për këtë nuk janë sqaruar ende.


Izraeli arrestoi ndërkohë 55 njerëz në Bregun Perëndimor, për të cilët tha se ishin “funksionarë të terrorit”. Në Bregun Perëndimor, një territor prej 5600 kilometrash ku janë përqendruar rreth 2 milionë palestinezë dhe 500 mijë kolonë Izraelitë, nuk ka pasur luftime por palestinezët protestuan ndaj bombardimit të Gazës. Hamasi e shpalli luftën si fitore të saj dhe njoftoi një ditë festimesh.


Rripi i Gazës është një zonë që u la mënjanë pas luftës Arabo-Izraelite të vitit 1948 dhe qëndroi nën administrimin e Egjiptit deri më 1967 ku funksionoi më së shumti si një kamp i stërmadh refugjatësh palestinezë të përzënë nga qytete dhe fshatra të tjera të Izraelit. Pas vitit 1967, u pushtua nga Izraeli, i cili ruajti kontrollin deri në vitin 2005 kur u detyrua të tërheqë kolonët e vet nga zona.


Rripi i Gazës është formalisht pjesë e territorit palestinez, dhe do të jetë pjesë e shtetit të ardhshëm palestinez siç është parë nga marrëveshja e paqes e pesëmbëdhjetë viteve më parë. Aktualisht Gaza vijon të konsiderohet si një territor i pushtuar palestinez nga Izraeli, për shkak se kjo e fundit kontrollon kufijtë, ajrin dhe detin.