KQZ i kaloi sot mandatin e deputetit Andrea Manos, ish-kryetarit të degës së PD në Korçë. Mano do të zëvendësojë në Kuvendin e Shqipërisë ish-deputetin demokrat Ervin Salianji, i cili ndodhet në burg.

Sipas KQZ, kandidati Andrea Nesti Mano ka dorëzuar formularin e vetë-deklarimit brenda afateve të përcaktuara ligjore. Pas verifikimeve, është konstatuar se nuk ka ndryshime në gjeneralitete apo dënim me vendim të formës së prerë.

“Të dhënat e deklaruara konstatohet se nuk përbëjnë kusht për moszgjedhjen e tij si deputet i Kuvendit të Shqipërisë”, tha përfaqësuesja e KQZ-së gjatë mbledhjes sot..

Andra Mano do të marrë mandatin e deputetit në Kuvendin e Shqipërisë, për qarkun Korçë.

Kujtojmë se Gjykata e Apelit dha vendimin për Salianjin, duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për dënimin e tij me 1 vit burg, nën akuzën për “Kallëzim të rremë” mbi çështjen “Babale”. Ish-deputeti i PD, i cili e cilëson dënimin të padrejtë dhe pa prova, pretendon se nuk i janë vënë në dispozicion aktet e dosjes dhe vendimit të Apelit, para se të burgosej. Sipas tij, Prokuroria dhe Gjykata kanë nxituar në ekzekutimin e vendimit, duke theksuar se duhet të pritej një herë zbardhja e vendimit apo rekursi në Gjykatën e Lartë.

Më 30 shtator, Parlamenti u njoftua për dënimin e formës së prerë nga Apeli i Tiranës, gjë që çoi edhe në humbjen e mandatit përfundimtar të Salianjit.