Elbasan
Ngjarja ndodhi në Komunën Labinot-Fushë, ku Tahir Duka u kërcënua edhe nga kreu i këshillit
Kryetari i Partisë Socialiste në Komunën Labinot-Fushë në Elbasan, Tahir Duka, është dhunuar fizikisht. Dhuna ndaj tij është ushtruar nga anëtari i Këshillit të Komunës, përfaqësues i Partisë Demokratike, Enver Salla. Pas dhunimit, Duka ka bërë një denoncim në Komisariatin e Policisë së Elbasanit, duke kërkuar vënien përpara përgjegjësisë së agresorit. Shkak për këtë përplasje fizike duket se janë bërë bindjet politike mes dy palëve, ku e djathta kërkon që të marrë pjesë në takimet që zhvillon komuna me komunitetin. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pasditen e së shtunës, ku Tahir Duka ka qenë i pranishëm në një mbledhje me banorët e zonës për të diskutuar për buxhetin dhe në atë moment dy përfaqësues të së djathtës, Ymer Balliu, kryetar i këshillit dhe Enver Salla, anëtar i këshillit, e kanë kërcënuar e më pas ky i fundit e ka goditur me grushte. “Isha duke diskutuar me banorët për probleme që ata shqetësohen, në mënyrë që të përfshihen në buxhetin e komunës. Në atë moment shfaqen dy personat e lartpërmendur dhe më thonë se përse nuk është njoftuar kryetari i Këshillit të Komunës dhe përfaqësues të së djathtës, duke nisur me kërcënime. Një sherr banal kishte ndodhur edhe para disa ditësh, kur u zhvillua një takim me uniformat blu për projektin “Policimi në komunitet”, projekt që ka të bëjë për parandalimin e kultivimit apo përdorimit të lëndëve narkotike dhe dhunën fizike. Pas replikave të mia, brenda kontureve të etikës, Salla më godet me grusht në sy të të gjithë komunitetit. Ky gjest është i patolerueshëm dhe u kërkoj organeve të drejtësisë që të marrin masat ndaj këtyre veprimeve arbitrare. Theksoj se nuk është hera e parë që veprohet në këtë mënyrë. Më 13 janar të këtij viti ka ndodhur një incident i ngjashëm dhe në mënyrë të përsëritshme unë jam kërcënuar verbalisht nga të djathtët”, tregon për ngjarjen Duka. Komuna Labinot-Fushë përbëhet gjithsej nga 15 këshilltarë, ku 9 janë të djathtë dhe 6 të majtë. Mazhoranca ka bllokuar miratimin e buxhetit për të dytën herë, duke bllokuar investimet në komunë. S. Muça
Incidenti
Tahir Duka ka qenë i pranishëm në një mbledhje me banorët e zonës për të diskutuar për buxhetin, kur dy përfaqësues të së djathtës e kanë kërcënuar dhe dhunuar