Asim Vokshi është betuar sot para presidentit të Republikës, Bajram Begaj, si anëtari më i ri i Gjykatës Kushtetuese, duke zëvendësuar Holta Zaçajn, mandati i së cilës përfundoi në muajin prill.
Vokshi ishte shpallur fitues për këtë post nga Gjykata e Lartë, pas një gare që përfshinte disa kandidatë, përfshirë Naureda Llagamin. Llagami ka kundërshtuar këtë vendim në Gjykatën Administrative dhe më pas në Gjykatën Kushtetuese, duke pretenduar se një votë e shpallur e pavlefshme i takonte asaj dhe, si pasojë, ajo duhej të ishte zgjedhur si anëtare e re e Gjykatës Kushtetuese. Megjithatë, kjo kërkesë u refuzua, duke lënë Asim Vokshin si fitues të vendit të lirë.
Pas largimit të Zaçajt, Gjykata Kushtetuese do të duhet të zgjedhë një kryetar të ri. Përkohësisht, institucioni drejtohet nga nënkryetarja Marsida Xhaferllari.
