Në kabinetin e ri qeverisës, do të ketë një risi, teksa do të përfshihet edhe inteligjenca artificiale.
“Diella” është një personazh i krijuar me AI, që do të ketë për detyrë menaxhimin dhe drejtimin e prokurorimeve publike. Gjatë asamblesë së PS, Rama njoftoi se tashmë tenderat do të jepen me anë të Inteligjencës Artificiale, për të shmangur çdo dyshim për abuzime brenda ministrive.
“’Diella’, anëtarja e parë jo fizikisht e pranishme, por virtualisht e krijuar nga Inteligjenca Artificiale e një qeverie, do ketë në mbështetje një strukturë të posaçme për adoptimin e AI në proceset qeverisëse dhe një mandat të posaçëm për të shembur frikën e paragjykimeve dhe ngurtësisë së administratës.
Dje në mbledhjen e fundit të qeverisë së tretë, u mor dhe vendimi i fundit, për nxjerrjen e tenderave jashtë nga ministritë. Në mandatin e katërt, duhet bërë ‘Diella’ shërbyesja e prokurimeve publike, të cilat duam t’ia kalojmë hap pas hapi AI-së, duke e bërë Shqipërinë një vend ku tenderat publik janë 100% të pakorruptueshëm dhe ku çdo fond publik që kalon përmes procedurës së tenderit është 100% i lexueshëm. Kjo nuk është fantashkencë, por detyrë e ‘Diellës’. Mandati i ‘Diellës’ nuk do të ketë as kufij gjeografik, as kufij kombësie dhe struktura në mbështetjen e saj do të ketë të drejtën të punësojë këtu talente nga e gjithë dynjaja.”- tha Rama.