Trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvinjo, është shfaqur sot para mediave për konferencën e zakonshme në prag të ndeshjes kundër Anglisë në kualifikueset e Botërorit.

Shqipëria është kualifikuar tashmë në play-off, me Anglinë si fituese të grupit që do të shkojë direkt në Botëror ndaj ndeshja e nesërme në një aspekt nuk ka peshën e rezultatit mbi vete. Trajneri i kuqezinjve ka dhënë mendimet e tij për këtë ndeshje, duke treguar edhe pritshmërinë që ka për ekipin.

“A janë më të mirë se në ndeshjen e parë? Për fat të keq po. Ishte ndeshja e parë e Tuhel. Shpresoj që të mos flas me të nesër. (qesh) Padyshim do i flas, e ndjek prej kohësh. Po, për fat të keq se ishte ndeshja e parë, ndaj tani po punon. Kur ndonjë trajner thotë më duhet kohë, është e vërtetë. Sepse në punën normale të duhet kohë që të bësh gjërat si do. Ndaj për fat të keq janë më të fortë se 6 muaj më parë, shifrat janë të pabesueshme, të shpifura! Çfarë të them. Por jemi të lumtur se do të ndeshemi me një nga më të mirët, do të mundohemi të bëjmë punën tonë, Lojtarët kanë besim, do të përgatitim diçka, të mundohemi të shënojmë, bëjmë një ndeshje të mirë. Nuk ia ke kurrë idenë çfarë mund të ndodhë, në 90 minuta në futboll mund të ndodhë gjithçka.

Ne kemi një stërvitje dhe nesër do të marrim disa vendime për formacionin dhe të mendojmë shumë. Është hera e parë në jetë që kam një ndeshje të vështirë nesër por duhet të mendojmë për marsin, është shumë e vështirë. Është një rrezik, edhe rregulli nuk është i mirë, por duhet të mendoj. Është e vështirë dhe duhet ta mendoj, kam folur me stafin, nesër do të marrin vendime. Është e vështirë se do të përballemi me Anglinë, një nga më të mirët në botë. Por nesër do të marrim vendimet, shumë e vështirë”, tha Silvinjo para mediave.