Avokati Aranit Rroshi ka dhënë detaje në “Shqipëria Live” në lidhje me padinë e ngritur nga aktorja Anila Bisha ndaj qeverisë, për përdorimin e imazhit dhe zërit të saj tek ministrja virtuale “Diella”.

Avokati i aktores tha se ka patur një kontratë me qeverinë që zëri dhe imazhi të përdorej si një robot për ndihmë ndaj qytetarëve në aplikacionin e-albania. Por më tej, aktorja nuk ishte në dijeni se Diella do të prezantohej si ministrja ep arë virtuale në botë.

 “Zonjës Bisha i është ofruar një kontratë ku është ofruar zëri dhe imazhi i saj vetëm për robotin asistent në e-Albania. Shoqëria ‘Apel’ kishte për detyrë të përpunonte të dhënat personale dhe këto të dhëna i përfitonte AKSHI dhe Këshilli i Ministrave. Nuk i është thënë kurrë që do të ishte një avatar virtual, ministre dhe sigurisht që do mbante fjalime në Kuvend. Kundërshtimin ua kemi njoftuar edhe autoriteteve, është bërë një negociatë që ka mbetur dhe pa përgjigje. Ne kemi kërkuar një dëmshpërblim për dëmin e krijuar dhe po ashtu që të krijohej një kontratë ku të caktohen qartësisht përdorimi i të dhënave, jo të ketë liri të pafundme në përdorimi ne të dhënave.  Më pas kemi proceduar me padinë që të mos përdoret më imazhi për veprime që nuk është rënë dakord më parë.

Imazhi i saj është dëmtuar me mënyrën si janë përdorur të dhënat personale pa e vendosur në dijeni, mënyra si e ka përdorur qeveria ministren Diella, e po ashtu imazhi i saj në media dhe në meme të shumta.  Ne jemi shumë të hapur për ta zgjidhur çështjen me marrëveshje por deri më tani nuk kemi patur asnjë kontakt me institucionet pas padisë.”- tha avokati.