Avokati i Popullit, Endri Shabani, ka prezantuar në Vlorë Raportin Vjetor të institucionit për vitin 2025, duke u ndalur edhe te problematikat kryesore të ngritura nga qytetarët.

Gjatë takimit me qytetarët dhe përfaqësuesit vendorë, Shabani deklaroi se prania e institucionit në Vlorë synon të dëgjojë drejtpërdrejt shqetësimet dhe kërkesat e banorëve. Sipas tij, pjesa më e madhe e ankesave në këtë zonë lidhet me çështjet e pronësisë dhe administrimin e tyre.

Ai bëri të ditur se shumë prej problematikave kanë të bëjnë me Kadastrën, ndërsa theksoi se çdo rast i dyshuar për shpërdorim detyre, tjetërsim pronash apo cenim të të drejtave të qytetarëve do të verifikohet nga institucioni që ai drejton.

“Roli i Avokatit të Popullit është të mbrojë të drejtat e qytetarëve dhe të shërbejë si urë ndërmjet tyre dhe institucioneve shtetërore”, u shpreh Shabani.

I pyetur nga gazetarët për protestat e zhvilluara nga qytetarët, Avokati i Popullit tha se institucioni nuk mund të mbajë qëndrim mbi kërkesat politike apo sociale të protestuesve, por ndërhyn kur konstatohen shkelje të të drejtave të qytetarëve ose tejkalim i kompetencave nga institucionet, përfshirë Policinë e Shtetit.

Sa i përket komenteve negative ndaj bizneseve në platformat online, Shabani tha se aktualisht nuk disponon informacion të plotë për raste konkrete, por nëse konstatohet cenim i lirisë së shprehjes së qytetarëve, institucioni do të nisë verifikimet dhe do të reagojë zyrtarisht.

Raporti Vjetor i Avokatit të Popullit për vitin 2025 u prezantua në Vlorë në prani të qytetarëve dhe përfaqësuesve të pushtetit lokal.