Departamenti Italian i Hetimit Anti-Mafia deklaron se kanë bërë një punë të mirë kundër klaneve mafioze dhe kanë mundur të sekuestrojnë asete që kapin vlerën e miliona e miliona eurove
Megjithate shqetësuese për ta mbeten grupet kriminale të drogës shqiptare.
Kjo u deklarua nga kreu i qendrës DIA (Departamenti Italian i Hetimit Anti-Mafia) të Barit, Kolonel Giulio Leo, gjatë prezantimit të kalendarit të vitit 2026, kushtuar “fytyrave femërore të anti-mafias”.
Sipas tij operacionet e Drejtorisë Hetimore Anti-Mafia në Bari kanë çuar në sekuestrime përfundimtare me vlerë mbi 30 milionë euro në gjithë rajonin e Puglias.
Kreu i DIA-s bëri një panoramë të aktivitetit hetimor, duke theksuar se vijojnë “shqetësimet e konsiderueshme në zonën e Foggias” si dhe se po kryhen “kontrolle të imta” për mënyrën e përdorimit të fondeve të PNRR-së.
Duke folur për dinamikat e krimit të organizuar, ai nënvizoi se “grupet kriminale ndjekin gjithmonë zonat ku qarkullojnë para – në sektorët ekonomikë, në investime, dhe së fundmi edhe në turizëm”.
“Ka ende problematika serioze në provincën e Foggias, por po punojmë intensivisht për t’i adresuar. Është gjithashtu e qartë se krimi i organizuar shqiptar po fiton terren: sot ai është në gjendje të bashkëpunojë drejtpërdrejt me kartelet kryesore të Amerikës së Jugut dhe po shndërrohet në një furnizues të rëndësishëm për klanet tona lokale”, theksoi ai.
