Mbeten jashtë nxënës, jetimë dhe artistë të vegjël. Kule: E marrim ne


Lorina Mixha


Tenderi i zhvilluar dy javë më parë për privatizimin e godinës së Shkollës së Mesme të Gjuhëve të Huaja është pezulluar nga Agjencia Antikorrupsion, për shkak të parregullsive. Menjëherë pas denoncimit të bërë në media lidhur me shkëmbimin e shkresave për privatizimin e ambientit, mes Bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Ekonomisë, ku vendorët sugjeronin që konvikti t’i kalonte në pronësi universitetit privat “Aleks Luarasi”, reagoi Universiteti i Tiranës. Sipas rektoratit të UT-së ambientet e konviktit i janë kërkuar Bashkisë së Tiranës për t’i kaluar fakulteteve të UT-së, për shkak të mungesës së auditorëve, fluksit të studentëve nga viti në vit, si dhe shtimit të kuotave për vitin e ri akademik. Kërkesa erdhi duke u bazuar edhe në ligjin e privatizimeve ku parashikohet dhënia e përparësisë institucioneve publike. Pas reagimit të Universitetit të Tiranës, dy nga mediat e lidhura me lobin e biznesmenëve që u përpoqën të merrnin godinën e gjuhëve të huaja, nisën sulmin mediatik me rektorin e universitetit, Dhori Kule, gjatë kohës kur ai dhe stafi i UT-së ndodheshin jashtë vendit, për firmosjen e një marrëveshje me një nga universitetet franceze.


“Nuk u jam përgjigjur shpifjeve kundër meje, për shkak se ndodhesha në një udhëtim pune. Të gjitha këto shpifje kanë pasur për qëllim shantazhimin tim për mos të mbrojtur interesat publike, ato të Universitetit të Tiranës. Manipulimi i raporteve të KLSH është një veprim i shëmtuar dhe nëse ka shkelje të merret zyrtarisht nga KLSH dhe se kush është përgjegjës për to. Për sa të jem rektor i Universitetit të Tiranës, nuk do të tërhiqem kurrë nga shantazhet për të mos mbrojtur interesat e UT-së”, ka sqaruar Kule lidhur me akuzat dhe keqpërdorimin e të dhënave të një raporti të 5 viteve më parë të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Sipas tij, lidhur me godinën e gjuhëve të huaja, tenderi është pezulluar dhe pritet që të merret për përdorim të UT-së.


Shkeljet e tenderit


Ministria e Ekonomisë ka zhvilluar më datë 26 qershor tenderin për dhënien me qira të godinës së konviktit të Shkollës së Mesme të Gjuhëve të Huaja. Sipas Ministrisë së Ekonomisë, ditën e zhvillimit të procedurave, një nga anëtarët e komisionit është larguar duke dhënë dorëheqjen nga tenderimi. Pas dorëheqjes së anëtarit, ministri i larguar i Ekonomisë, Nasip Naço, në ditën e tij të fundit të qëndrimit në dikaster, ka marrë vendimin për ta zëvendësuar atë. Legjislacioni sqaron se largimet dhe zëvendësimet nuk mund të bëhen brenda ditës, në një proces tenderimi.


Subjektet pjesëmarrëse në tender kanë cituar ligjin në këtë rast duke argumentuar se firma e ministrit të larguar Nasip Naço, rezulton të jetë ligjërisht e pavlefshme, për shkak se dikasteri ishte në pritje të ministrit të ri, i dekretuar edhe nga Presidenti i Republikës. Sipas rregullave, kompetencat për të firmosur në një situatë të tillë i delegohen zëvendësministrave ose sekretarit të përgjithshëm të ministrisë. Menjëherë pas tenderimit është vendosur në dijeni Kryeministri i vendit. Institucioni i Kryeministrit ka kërkuar verifikim të procedurave dhe dokumenteve nga Agjencia Antikorrupsion, e cila rezulton të ketë shpallur tenderimin të pavlefshëm dhe të kërkojnë pezullimin e tij.


Zhvillimi i ngjarjeve


Pak kohë më parë pas një kërkese të universitetit privat “Aleks Luarasi”, drejtuar kryetarit të bashkisë Lulzim Basha, për marrjen me qira të ambienteve të konviktit të gjuhëve të huaja, ky i fundit i ka kërkuar Ministrisë së Ekonomisë nisjen e procedurave për dhënien me qira të këtij objekti shtetëror, i cili administrohet nga Bashkia e Tiranës.


Ministri i larguar, Nasip Naço, ka firmosur dhe miratuar hapjen e tenderit për dhënien me qira të godinës së gjuhëve të huaja.


Drejtoria e Konvikteve ka kërkuar që kjo godinë të jepet me qira, sepse kostoja për mirëmbajtjen e saj është shumë e lartë dhe nxënësit që qëndrojnë aktualisht duhet të shpërndahen në konvikte të tjera. Propozimi i drejtorit të konvikteve është që tarifa dysheme për dhënien me qira, sipas vendimit të këshillit bashkiak, të datës 8 qershor 2011, të jetë jo më pak se 300 lekë për metër katror.


 


 


Shkaku, firma e ministrit të larguar, Nasip Naço, rezulton të jetë ligjërisht e pavlefshme


 


 


 


Konvikti


Godina është me pesë kate dhe ka një sipërfaqe 3500 metra katrorë. Numri i nxënësve që e përdorin, aktualisht është 100


 


Kosto


Godina është vlerësuar me 11.940.827 lekë, si vlerë fillestare. Kostoja për mirëmbajtjen e saj është tepër e lartë për t’u përballuar


 


Bashkisë së Tiranës iu kërkua zyrtarisht dhënia e godinës


Bashkisë së Tiranës, e cila ka aprovuar privatizimin e godinës nga universiteti privat, i është kërkuar zyrtarisht nga universiteti publik kalimi i ambienteve nën administrimin e UT-së. Senati i Universitetit të Tiranës ka miratuar shkresën: “Kërkesë për kalimin në administrim të UT-së të godinës së Konviktit të Shkollës së Mesme të Gjuhëve të Huaja”.


Sipas akademikëve, deri në realizimin përfundimtar të projektit të Kampusit i cili do të zgjidhte përfundimisht nevojat infrastrukturore që UT-ja ka sot dhe ato që do të duheshin për 10 vitet e ardhshme, çdo godinë e re që do t’i bashkëngjitej kapaciteteve aktuale infrastrukturore që UT-ja ka, është një domosdoshmëri për përmbushjen e funksioneve të saj.


“Politika e qeverisë shqiptare për masivizimin e arsimit të lartë, ka bërë që për këtë vit akademik UT-ja të kërkojë rritje të numrit të kuotave për studentë të të gjitha cikleve të studimit, fakt ky që bën edhe më emergjente nevojën e rritjes së kapaciteteve për plotësimin e kushteve normale të ambienteve për studim”, deklaron senati i UT-së. Më janar të 2012-s, Universitetit të Tiranës i është thënë verbalisht se godina e gjuhëve të huaja nuk mund t’i jepet me qira fakulteteve të UT-së, për shkak se duhet të vazhdojë të shërbejë si konvikt për nxënësit e Shkollës së Mesme të Gjuhëve të Huaja. Po ashtu edhe këshilli bashkiak ka miratuar fondet për ta rikonstruktuar këtë godinë për të vijuar funksionin e konviktit.