Qytetarë dhe aktivistë u mblodhën këtë të martë në Tiranë në ditën e tretë të protestës kundër projektit të planifikuar në Zvërnec, duke kërkuar ndryshime të rëndësishme ligjore dhe politike.
Protesta nisi në sheshin “Skënderbej”, ku pjesëmarrësit u grumbulluan përpara se të marshonin drejt Ministrisë së Brendshme dhe më pas përpara godinës së Kryeministrisë.
Gjatë tubimit, protestuesit paraqitën pesë kërkesa kryesore për qeverinë: dorëheqjen e kabinetit qeveritar, shfuqizimin e kuadrit ligjor për investitorët strategjikë, anulimin e Paketës së Maleve, shfuqizimin e ndryshimeve në Ligjin për Zonat e Mbrojtura dhe anulimin e ndryshimeve në Ligjin për Trashëgiminë Kulturore.
Pjesëmarrësit mbanin pankarta me mesazhe si “Shqipëria nuk është në shitje”, ndërsa në fjalimet e mbajtura përpara Kryeministrisë u përsëritën thirrjet kundër projektit dhe kërkesat për ndryshime në politikat e qeverisë.
Gjatë zhvillimit të protestës u regjistruan edhe tensione të vogla, pasi disa qytetarë çanë kordonin e policisë të vendosur në hyrje të Kryeministrisë. Megjithatë, protesta vijoi pa incidente të tjera të raportuara.
Tubimi zgjati për më shumë se tre orë, ndërsa organizatorët paralajmëruan vazhdimin e reagimeve kundër projektit në Zvërnec.
