Policia e Shtetit ka sekuestruar këtë të martë në Tiranë disa pasuri të paluajtshme me një vlerë të përafërt prej 420 mijë eurosh, të dyshuara si të përfituara nga veprimtaria kriminale në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike.
Sipas njoftimit zyrtar, në kuadër të procedurave për goditjen e aseteve me burim kriminal, janë vendosur nën sekuestro një apartament dhe një garazh, të cilat rezultojnë në pronësi të shtetasit 54-vjeçar me iniciale H. A.
Nga hetimet paraprake, autoritetet dyshojnë se këto pasuri janë krijuar me të ardhura të siguruara nga aktiviteti i paligjshëm i trafikimit të lëndëve narkotike. Veprimet procedurale vijojnë nën drejtimin e organit kompetent.
Njoftimi:
Tiranë/Finalizohet operacioni i koduar “De facto”, si rezultat i hetimeve për gjurmimin dhe sekuestrimin e pasurive me burime kriminale.
Sekuestrohen apartamente dhe garazh, me vlerë rreth 420 000 euro, të përfituara nga trafikimi i lëndëve narkotike.
Në vijim të një hetimi pasuror, me metoda speciale, kryer në bazë ligjit nr. 10192, datë 03.12.2009, “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale, në bashkëpunim me Prokurorinë, në kuadër të operacionit të koduar “De facto”, u ekzekutua vendimi i Gjykatës për sekuestrimin e dy apartamenteve dhe një garazhi.
Pasuritë, me vlerë tregu rreth 420 000 euro, dyshohet se janë përfituar nga veprimtaria kriminale e shtetasit H(A). A., 54 vjeç, në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike.
Hetimi vijon për të gjurmuar dhe sekuestruar pasuri të tjera me burime kriminale, të 54-vjeçarit ose shtetasve të lidhur me të.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
