Gjykata e Fierit me kërkesë të Prokurorisë, ka sekuestruar pasuritë e Saimir Taullaut dhe familjarëve të tij. Saimir Taullau njihet si kundërshtar i përbetuar i Aldo Bares, ish-kreut të “bandës së Lushnjës”, që po vuan dënimin në qeli. Vendimi është marrë nga gjyqtari Vladimir Cjapi.

Taullau ka qenë edhe më parë i hetuar gjatë operacionit Forca e Ligjit, ku OFL e procedoi pikërisht për pasuritë e pajustifikuara dhe që dyshohet se vijnë nga aktivitetet e paligjshme. Prokuroria e Fierit, edhe më herët, në maj 2024, ka sekuestruar 6 pasuri të Saimir Taullaut dhe të afërmëve të tij, të cilat dyshohet se janë përfituar nga veprimtaria kriminale.

Saimir Taullau është një biznesmen nga Lushnja, teksa sipas organit të akuzës është i dyshuar për prodhim dhe trafikim të lëndëve narkotike. Familja e tij njihet si rivale e grupit të Aldo Bares në Lushnjë, teksa në vitin 2005 kanë ekzekutuar Baki Taullaun, vëllain e Saimir Taullaut. Në muajin prill 2024, Saimir Taullaut i janë sekuestruar 4 pasuri, teksa në vijim të hetimeve i janë sekuestruar edhe 6 pasuri të tjera, në emër të shtetasve A.T. dhe V.T.

Sot Gjykata ka miratuar kërkesën e organit të akuzës.

Pasuritë që sekuestruar Prokuroria deri tani janë:

  • Pasuria nr. 1/527, ZK 8572, vol. 25, fq. 96, ndodhur në lagjen “Loni Dhamo”, Lushnje, e llojit “truall”;
  • Pasuria nr. 104/44, ZK 3268, vol 2, fq, 182, ndodhur në Savër, Lushnje, e llojit “arë”, me sipërfaqe 15,323 m2;
  • Pasuria nr. 857/28, ZK 2087, vol. 8, fq. 193, ndodhur në Karbunarë e Poshtme, Lushnje, lloji “arë”;
  • Pasuria nr. 151/2+1-10, ZK 3266, ndodhur në Sauk, Tiranë, lloji “apartament”, me sipërfaqe 128 m2;
  • Pasuria nr. 102/22-16, ZK 3266, ndodhur në Sauk, Tiranë, lloji apartament me sipërfaqe 96.17 m2; dhe
  • Pasuria nr. 104/81+2-21, ZK 3266, ndodhur në Sauk, Tiranë, lloji “apartament”, me sipërfaqe 105.57 m2.