Apeli i Gjykatës së Posaçme nuk ka pranuar kërkesën e Ergys Agasit për ndryshimin e masës së sigurisë, duke lënë të pandryshuar vendimin e dhënë më herët nga GJKKO e Shkallës së Parë.

Çështja u shqyrtua këtë të hënë nga gjyqtari Florjan Kalaja, i cili vendosi të rrëzojë ankimin e paraqitur nga Agasi kundër masës së caktuar ndaj tij.

Në këtë mënyrë, mbetet në fuqi vendimi nr. 62 i datës 28 gusht 2026, i marrë nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Agasi kishte kundërshtuar në Apel vendimin e mëparshëm, duke kërkuar ndryshimin e masës së sigurimit, por pretendimet e tij nuk janë pranuar nga gjykata.

Me vendimin e sotëm, situata juridike e Agasit sa i përket masës së sigurisë mbetet e njëjtë me atë të përcaktuar nga shkalla e parë.

VENDIMI

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues
monokratik të përbërë nga gjyqtar z. Florjan Kalaja, sot më datë 22.09.2026, disponoi për
çështjen penale nr. 43 akti, datë 17.09.2026 regjistrimi, mbi ankimin e
personit nën hetim/ankues E.A, në lëndë të masave të
sigurimit, si vijon:

– Miratimin e vendimit nr. 62, datë 28.08.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për

Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

– Në bazë dhe për zbatimin të nenit 103 të K.Pr.Penale ndalohet publikimi i vendimit deri në mbylljen e hetimeve paraprake.

– Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve duke nisur ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar.
U shpall në Tiranë, më datë 22.09.2026.