Apeli i GJKKO shpall vendimin për inceneratorin e Tiranës, duke rikthyer Lefter Kokën në burg.

Bëhet me dije se GJKKO la në fuqi vendimin e shkallës së parë për Erjon Murataj; Namik Simixhiu; Bledar Karoli; Taulant Tusha; Valbona Ballgjini  dhe Sidita Kopliku.

Vendimi:

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Iliriana Olldashi (kryesuese), Nertina Kosova (anëtare) dhe Daniela Shirka (anëtare), sot më 14.05.2026, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 6/71 akti, datë 14.11.2025 regjistrimi, mbi ankimin e të pandehurve T.T, L.K, S.K, B.K, E.M dhe ankimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ndaj vendimit nr. 30, datë 16.04.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi: – Lënien në fuqi të vendimit nr. 30, datë 16.04.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për të pandehurit B.K, E.M, T.T, S.K. –

Lënien në fuqi të vendimit nr. 30, datë 16.04.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për të pandehurin L.K për pikat “1”, “2”, dhe “4” të dispozitivit të vendimit. – Ndryshimin e vendimit nr. 30, datë 16.04.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për të pandehurin L.K, duke hequr pikën “3” të dispozitivit të këtij vendimi që ka disponuar “Për shuarjen e masës së sigurimit “arrest në burg””, caktuar ndaj të pandehurit L.K me vendimin nr. 134, datë 07.12.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. – Ndryshimin e vendimit nr.30, datë 16.04.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për të pandehurin J.Ll si vijon: – Deklarimin fajtor të të pandehurit J.Ll për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 1 (një) vit burgim. – Në aplikim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale dënimin përfundimisht të të pandehurit J.Ll me 8 (tetë) muaj burgim.

Në bazë të nenit 35/1 të Kodit Penal caktimin për të pandehurin J.Ll të dënimit plotësues, heqja e së drejtës për të ushtruar funksione publike, për një afat prej 5 (pesë) vjet. – Shpenzimet procedurale gjyqësore edhe të gjykimit në apel u ngarkohen solidarisht të pandehurve. – Urdhërohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për ekzekutimin e këtij vendimi. U shpall në Tiranë, sot më datë 14.05.2026.