Apeli i Posaçëm ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), duke konfiskuar përfundimisht 22 pasuri të Gramoz Totos, të dënuar me 18 vite burg nga drejtësia italiane për veprën penale të shfrytëzimit të prostitucionit në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.

Vendimi parashikon kalimin në favor të shtetit të 16 pasurive të paluajtshme dhe 6 automjeteve, të regjistruara në emër të Totos dhe familjarëve të tij.

Pasuritë e konfiskuara përfshijnë troje dhe ndërtesa në Dushnik të Beratit, tokë arë me sipërfaqe 6,500 metra katrorë, godina dhe objekte shërbimi, një kompleks sportiv, apartamente dhe ndërtesa në rrugën “Çlirimi” në Berat, ullishte, si dhe objekte të tjera ndërtimi. Gjithashtu janë konfiskuar edhe gjashtë automjete.

Pasuritë do të administrohen tashmë nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.

Hetimi pasuror ndaj Gramoz Totos u zhvillua nga prokurori i SPAK, Behar Dibra, në kuadër të ligjit Antimafia. Sipas hetimeve, pasuria e tij dhe e familjarëve rezultoi e përfituar në mënyrë të paligjshme dhe e pajustifikuar nga burime të ligjshme.

Gramoz Toto është një emër i njohur për drejtësinë shqiptare, pasi më herët ka qenë subjekt i Operacionit Forca e Ligjit (OFL), për shkak të së kaluarës së tij kriminale.