Gazetarja Denada Kola raportoi drejtpërdrejt nga Haga për “Top Story”, pas vendimit të djeshëm të Gjykatës Speciale ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kola bëri të ditur se avokatët mbrojtës do të apelojnë dënimet, ndërsa edhe prokuroria pritet të apelojë rrëzimin e akuzës për krime kundër njerëzimit. Ajo shpjegoi gjithashtu hapat e procedurës së apelimit dhe afatin brenda të cilit palët duhet të përcaktojnë çështjet që do të kundërshtojnë.

“Kam marrë prononcimin e tre prej avokatëve mbrojtës, që do të apelojnë dënimet. Nga ana tjetër edhe prokuroria do të apelojë akuzën e hedhur poshtë për krime kundër njerëzimit.

Për këtë procedurë pritet lajmërimi dhe brenda 2 muajsh do të duhet të përmbledhin çfarë do të apelojnë nga ajo që ka thënë vetë gjyqtari Smith. Nuk mund të apelojnë gjithë procesin në themel.

Është shumë e rëndësishme kjo periudhë. Në të shkuarën ka pasur raste të uljes së dënimit në 7, 8 apo 9 vitesh në Apel. Në rastin e Kroacisë, rasti Gotovina, kemi parë një angazhim të të gjithë shtetit, diçka që në këtë rast nuk e kemi parë.

Në rastin tonë, gjykata e ka injoruar mbrojtjen dhe ka pranuar çdo gjë që ka kërkuar prokuroria. Kush ka qenë në atë sallë dhe ka parë seancat e hapura, ka pasur rrëfime dhe deklarata që janë marrë parasysh nga gjykata.

Ajo që gjykata lexoi dje u duk sikur ishte diçka më e detajuar e asaj që ka thënë prokuroria. Sa e njoh unë gjykatën speciale, një pjesë e buxhetit ka shkuar për mbrojtjen e dëshmitarëve. Ne nuk arrijmë të gjejmë as emrat e përkthyesve”, u shpreh Denada Toçe.

Top Channel