Apeli i Gjykatës së Posaçme ka rrëzuar kërkesën e kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, i cili kundërshtonte vendimin e shkallës së parë për pezullimin e afateve të paraburgimit.

Seanca e mëparshme ishte shtyrë për shkak të problemeve procedurale me njoftimin e Veliajt nga Drejtoria e Burgut të Durrësit. Sipas gjyqtares Saida Dollani, institucioni kishte dorëzuar vetëm një kopje të dokumentit që provonte dijeninë e kryebashkiakut për gjyqin, dhe jo versionin origjinal, duke u konsideruar kjo një parregullsi.

Vendimi për pezullimin e afateve ishte marrë më herët nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në dy seanca të ndara, për shkak të mungesës së disa të pandehurve të tjerë në proces. Veliaj ka argumentuar se është përfaqësuar vazhdimisht nga avokati i tij dhe se afatet e paraburgimit nuk duhet të pezullohen kolektivisht për të gjithë të akuzuarit, për shkak të vonesave që lidhen me persona të tjerë.

Çështja ka shkaktuar debat më të gjerë në sistemin e drejtësisë, pasi praktika e pezullimit të afateve për të gjithë të pandehurit konsiderohet problematike nga juristët. Avokatët kërkojnë rishikim të dispozitave në Kodin e Procedurës Penale, duke theksuar se kjo qasje mund të cenojë të drejtat individuale dhe të mbajë në paraburgim persona që nuk kanë përgjegjësi për zvarritjet e procesit.

Sipas legjislacionit në fuqi, koha e kaluar në paraburgim llogaritet me koeficient më të lartë në dënimin përfundimtar, duke e bërë situatën edhe më të ndjeshme për të pandehurit. Kryebashkiaku i Tiranës ndodhet në masë sigurie “arrest me burg” që prej 10 shkurtit 2025, ndërsa ndaj tij rëndojnë akuza për korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe shpërdorim detyre.