Ish-kryeprokurori, Aurel Zarkaka ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë pasi gjykata e Apelit vendosi kthimin e dosjes së Aurel Zarkës për rigjykimin nën dyshimet se ai ka vepruar si grup kriminal.
Relator është caktuar Sokol Binaj, i cili pritet të caktojë datën se kur do zhvillohet seanca. Sipas Apelit të Posaçëm, provat dhe rrethanat tregojnë qartë se jo vetëm Zarka, por edhe tre të pandehurit e tjerë të çështjes kanë bashkëpunuar si një grup i strukturuar kriminal, ndryshe nga vlerësimi i prokurorëve të çështjes, si dhe i gjyqtarëve të Shkallës së Parë, të cilët e cilësuan si bashkëpunim të thjeshtë në rrethana rënduese.
Dosja “Toyota Yaris” lidhet me bllokimin e bujshëm të 3.4 milionë eurove në qershor të vitit 2018 në portin e Durrësit, një dosje që u hetua fillimisht nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për pastrim parash, por pas disa piruetave procedurale u transferua në Prokurorinë e Tiranës dhe u mbyll me akuzën e “mosdeklarimit të të hollave në kufi”.
Kreu i Prokurorisë së Vlorës, Aurel Zarka akuzohet se në bashkëpunim me oficeren e Policisë Gjyqësore, Eriona Daupaj, avokatin Radovan Çela dhe të afërmin e të pandehurve, Astrit Vladin kanë ushtruar ndikim të paligjshëm dhe veprat penale të korrupsionit aktiv dhe pasiv për të ndikuar ecurinë e çështjes “Toyota Yaris” dhe lirimin e të pandehurve. Ky zbulim ngre hije të zeza dyshimi mbi një grup prokurorësh dhe gjyqtarësh të Krimeve të Rënda dhe Tiranës, që i hetuan dhe i shqyrtuan këto çështje.


